Lajme

Të hënën organizohet tryezë për Ligjin e Pagave në Kuvendin e Kosovës


Kuvendi i Kosovës

Të hënën e 22 nëntorit, në Kuvendin e Kosovës organizohet tryezë me temën, “pagat në sektorin publik, statusi aktual i projektligjit dhe urgjenca e procedimit të tij”.

Kjo tryezë është organizuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe do të nis nga ora 11:00.

“Qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohet për nevojën urgjente për të miratuar ligjin për pagat në sektorin publik, për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të kategorive të pambrojtura të këtij sektori pas ngritjeve të çmimeve dhe jo-stabilitetit ekonomik”, thuhet në ftesën e AAK-së, dërguar mediave.

Pjesëmarrës në këtë tryezë përpos deputetëve do të jenë edhe përfaqësuesit e sindikatave dhe të organizatave jo-qeveritare.

Ndërkaq, më 30 janar të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

“Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze, sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Kurse, më gjashtë dhjetor të vitit të kaluar, Ligjin për Paga, në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, pati thënë se “ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes së cilave shfaqen pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligjin për pagat në sektorin publik”.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020.

Pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor të vitit 2020.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës patën reaguar edhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e kishte quajtur “shokues” vendimin, pas i njëjti, sipas tij, nuk lë hapësirë për korrigjimin në ato pak pjesë kontestuese.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

“Ky është mohim i të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62 mijë shërbyes civilë”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.

Ligji për paga është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019, kurse në fillim të muaji mars kishte hyrë në fuqi.

Sipas këtij ligjit, paga bazë është ajo pjesë që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të një funksioni apo pozite të caktuar.

Ligji për paga rregullon rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore