Lajme

Të enjten takohen sërish Bislimi e Petkoviç për dinarin


Foto nga arkivi: Besnik Bislimi, Petar Petkoviç dhe Miroslav Lajçak

Të enjten (25 prill), në kryeqendrën evropiane, Bruksel, do të mbahet takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë për dinarin, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin kosovar.

Ky është takimi i  pestë (5), me radhë që kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, dhe ai serb, Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, takohen për këtë çështje, në përpjekje e sipër për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Lajmi për takimin e së enjtes e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Unionit, Petar Stano, për mediat në Bruksel të mërkurën.

Ndryshe, Lajçak, pas ciklit të ri të takimeve të pasuksesshme që u zhvillua të enjten e javës së kaluar në Bruksel të Belgjikës për dinarin, tha se ndonëse ekzistojnë akoma dallime në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, u shpreh se në takimin e fundit u ngushtua diferenca në qëndrime.

Lajçak takoi më 18 prill kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit, por nuk u arrit kompromis. E diplomati sllovak u shpreh se përpjeket do të vazhdojnë këtë javë bazuar në propozimin e BE-së për zgjidhjen e krizës.

“Ne kemi diskutuar për një zgjidhje të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i BQK-së për oepracionet me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta ngushtojmë diferencën. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete”, shkroi Lajçaku.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, tha pas takimit se pala serbe s’e pranoi as këtë hërë propozimin fillestar të Lajçakut për zgjidhje të përkohshme, por ata kanë insistuar në propozimin e tyre për çështjen e dinarit serb.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pretendoi se pala serbe bëri “gjithçka” për të gjetur një zgjidhje, ndërsa akuzoi palën kosovare se erdhi në kryeqendrën evropiane pa komentuar idetë e BE-së për zgjidhjen e nyjes që, sipas tij, tregon se Kosova nuk dëshiron të pajtohet për asgjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore