Kosova

Të enjten mbahet seancë, Konjufca akuzon Listën Serbe se po e shantazhon Kuvendin


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar sërish. Por, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se seanca e radhës në Kuvend do të mbahet të enjten e 18 nëntorit.

“Që disa herë kryesia e Kuvendit nuk po mund të mblidhet për shkak të mungesës së kuorumit. Është shqetësuese për funksionimin e Kuvendit të Kosovës megjithatë, institucionet tona dhe kushtetuta e ka paraparë që kuvendi nuk mund të bllokohet nga ndonjë trupi të veçantë”.

“Për këtë arsye neni 67 i kushtetutës ia lejon kryetarit të kuvendit që t’i thërret seancat dhe ta organizojë rendin e ditës. Me vendim të kryetarit të kuvendit kemi caktuar seancën e kuvendit për 18 nëntor në orën 10:00”, është shprehur Konjufca.

Ai në një konferencë për media, ka theksuar se Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit.

“Kjo është e papranueshme për ne, nuk pranojmë kurrfarë shantazhi, aq më keq Lista Serbe po bën shantazh në mënyrë publike pa e fshehur dhe me një strategji të shfaqjes së këtij bojkoti”.

“Sapo filluam të mbajmë mbledhjen e kryesisë në mbledhjen e kaluar, Sllavko Simiç sapo e pa që ne jemi në pragun e kuorumit të nevojshëm, ai u largua nga mbledhja dhe ne nuk mund të vazhdonim më tutje. Ai këtë e bëri edhe sot, u largua, dhe përmes kësaj Lista Serbe po do të tregojë një lloj kushtëzimi, i cili nuk pranohet dhe refuzohet”, shtoi Konjufca.

Ndërsa, kur pyetet nga gazetarët se sa për qind të agjendës legjislative është zbatuar, ai thotë se deri më tani janë 62 ligje të proceduara nga Kryesia për miratim në Kuvend.

“11 janë kryer ndërsa 37 janë në përgjithësi në procedura të shqyrtimit. Kjo ka mundur të jetë më e kënaqshme por këtë agjendë e kanë dëmtuar edhe zgjedhjet lokale përgjatë këtyre dy muajve”.

“Kemi pasur probleme të ndjeshme në funksionimin e seancave në kuvend, për këtë arsye po të ishin mbajtur në mënyrë të rregullt, mendoj që agjenda legjislative do të kishte qenë në përqindje të përmbushjes shumë më të kënaqshme se që është tash”, përfundoi ai.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk kanë pasur një mbarëvajtje të duhur të agjendës parlamentare dhe për këtë ka akuzuar mazhorancën.

“Përgjegjësia bie mbi mazhorancën, në këtë mazhorancë e cila është treguar joefikase në shumë drejtime, edhe në implementimin e agjendës legjislative e në anën tjetër edhe në degradimin e shumë institucioneve tona të pavarura”, ka thënë Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri,

Ai ka shtuar se që nga konstituimi  i kësaj legjislature nuk kemi arrit me pas një funksionim të mirëfilltë i cili do t’i përgjigjej edhe nevojave të qytetarëve

“Rol të madh në funksionimin e republikës tonë parlamentare ka edhe Qeveria, e cila është njëra nga sponzorizuesit më të mëdhenj të ligjeve që vijnë në Kuvendin e Kosovës. Ata as për së afërmi nuk kanë arritur ta implementojnë agjendën legjislative që e kanë krijuar”, tha Tahiri.

Shefi i deputetëve të PDK-së, më tej theksoi se kjo mazhorancë ka vazhduar me ritmin e njëjtë që nga konstituimi i saj.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Kuvendi tash e sa muaj është i bllokuar dhe jo funksional.

Tahiri tha se kjo nënkupton që shumica parlamentare, koalicioni qeverisës kanë probleme serioze me menaxhimin e përgjegjësive që kanë marr, si në kuvend, po ashtu edhe në qeveri.

“Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 61 vota, ndërsa tash pesë mbledhje të Kryesisë të dështojnë dhe para jush të kemi 37 pika të rendit të ditës të cilat duhet të shqyrtohen në Kuvend dhe si rrjedhojë kryetari i Kuvendit të merr vendim të thërret seancë të enjten në ora 10:00”, tha shefi i deputetëve të AAK-së.

Besnik Tahiri i AAK-së

Sipas tij, së paku katër ditë duhet të mbajnë seancë për ta zënë hapin e punës.

Ai tha se agjenda legjislative ka qenë ambicioze përderisa ligjet që kanë ardhur në Kuvend janë ligje që realisht nuk hyjnë në procedurë këtë vit.

Tahiri tha se Ligji për paga në sektorin publik është një ligj shumë i rëndësishëm pasi trajton pagën në një situatë kur tani janë ngritur çmimet dhe ka rritje të shpenzimeve të familjeve.

Ai më tej tha se zgjedhjet lokale kanë ndikuar në funksionimin e Kuvendit dhe duhet një reflektim serioz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore