Lajme

Të bashkëjetosh me psikopatinë si grua


Victoria e dinte për gruan e të dashurit të saj.

Por pas disa vitesh, dyshoi se ai kishte edhe të dashura të tjera.

Edhe pse nuk kishte asnjë provë, gjuha e tij e trupit e tregonte të vërtetën.

“Më ndodh të kem kujtesë të shkëlqyer kur bëhet fjalë për biseda. Ai nuk ishte aspak një gënjeshtar i mirë. Nuk jam e sigurt pse gruaja e tij nuk e kapi kurrë”, thotë ajo.

Pas disa muajve, teksa ajo ende e shihte dhe bënte sikur nuk dinte asgjë, i dërgoi gruas së tij foto lakuriq të të dashurit të saj.

Ai shkoi te ajo i pikëlluar, duke e pyetur se kush mund ta bënte një gjë të tillë. Gruaja e tij ishte e shkatërruar. Ai i rrëfeu Victoria-s se me të vërtetë flinte me gra të tjera.

Ai nuk dyshoi për të dhe ajo e ngushëlloi.

Më pas, kur Victoria u mërzit dhe u bë gati për t’i dhënë fund lidhjes, ajo i dërgoi gruas së tij një galeri të fundit me fotografi, bashkë me një foto të saj me të.

Me atë zbulim, ajo u largua nga jeta e tyre përgjithmonë.

Kur Victoria u tregonte njerëzve këtë histori, mendjemprehtësia e saj i alarmonte njerëzit.

“Mendoj se ky është një shembull i mirë i një tipari ekstrem psikopatik që kam pasur”, tregon ajo.

Psikopatia nuk është një diagnozë e shëndetit mendor dhe nuk është e listuar në edicionin e pestë dhe të fundit të Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore.

Ajo grupohet nën termin më të gjerë të çrregullimit të personalitetit antisocial, megjithëse psikopatia përdoret gjerësisht në mjediset klinike globale.

Kuptohet gjerësisht si një çrregullim neuropsikiatrik, ku një person shfaq nivele jashtëzakonisht të ulëta ndjeshmërie ose pendimi, që shpesh rezulton në sjellje antisociale dhe ndonjëherë kriminale.

Termi u përdor nga mjekët në Evropë dhe SHBA në fillim të viteve 1900 dhe u bë i përhapur në vitin 1941, pas botimit të librit “Maska e mendjes” nga psikiatri amerikan Hervey M Cleckley.

“Akademikët kryesorë në botë kanë debatuar për përkufizimin e psikopatisë”, tregon neuroshkencëtarja Abigail Marsh.

“Do të merrni shpjegime shumë të ndryshme të psikopatisë në varësi të faktit nëse jeni duke folur me një psikolog mjeko-ligjor apo me një kriminolog”, shton ajo.

Sipas Marsh, psikologët kriminalë priren t’i klasifikojnë njerëzit si me psikopati vetëm kur shfaqin sjellje të dhunshme dhe ekstreme.

Për të, gjendja shfaqet si një spektër me sjellje të tjera, më pak dramatike që mund të ndryshojnë nga personi në person.

Në përgjithësi, psikologët pajtohen që një deri në dy në çdo 100 njerëz në popullatën e përgjithshme plotësojnë kriteret për psikopatinë, por Marsh pohon se deri në 30 për qind e njerëzve shfaqin një shkallë të tipareve psikopatike.

Për ata që kanë psikopati, kjo mund të nënkuptojë se luftojnë për të mbajtur miqësi të ngushta dhe për ta vënë veten në situata të rrezikshme, por gjendja ndikon edhe te njerëzit përreth tyre.

Shumica e studimeve që kanë të bëjnë me personat me psikopati janë kryer për kryesit e veprave penale. Disa nga këto studime tregojnë se psikopatët përbëjnë një numër joproporcional njerëzish në burg, megjithëse ka disa mosmarrëveshje se sa i përhapur është në të vërtetë.

Referuar hulumtimeve, psikopatia është më e lartë te shkelësit meshkuj sesa femrat.

Por është një fushë ende pak e studiuar në popullatën e përgjithshme, ndërkohë që edhe më pak kërkime bëhen për femrat.

Teksa një numër studimesh sugjerojnë se psikopatia është më e përhapur te meshkujt sesa te femrat, Marsh argumenton se kjo mund të jetë për shkak të mënyrës se si u krijua testimi në instancën e parë.

Psikologu kanadez Robert Hare zhvilloi Listën Kontrolluese të Psikopatisë (PCL-R) në vitet 1970 dhe një version i rishikuar shpesh konsiderohet si standardi global për testimin e tipareve psikopatike.

Tani është mjeti diagnostikues më i përdorur dhe më i vlefshëm për vlerësimin e psikopatisë.

PCL-R mat shkallën e shkëputjes emocionale që dikush mund të ketë, siç është gatishmëria e tyre për të manipuluar dikë për një rezultat të dëshiruar, pavarësisht nga pasojat, si dhe sjelljen e tyre antisociale, të tilla si zgjedhjet agresive ose impulsive që mund të jenë të dhunshme ose përfshijnë braktisjen e papritur.

Studiuesja Ana Sanz Garcia dhe kolegët e saj kryen një analizë më të fundit në vitin 2021 të studimeve të publikuara kërkimore që përfshinin mbi 11 mijë të rritur, të cilët u vlerësuan për psikopati.

“Do të ishte interesante të studioheshin faktorët që shpjegojnë se përse te gratë me nivel të lartë psikopatie kanë një probabilitet më të ulët për të kryer veprime antisociale dhe kriminale sesa meshkujt”, thotë Sanz Garcia.

Dhe nëse zbulohen këta faktorë, mund të hartohet një program për të parandaluar si gratë ashtu edhe burrat me psikopati të kryejnë akte antisociale dhe kriminale.

Victoria thotë se sjellja e saj manipuluese filloi të shfaqej si një mënyrë për të mbajtur veten të kënaqur.

Ajo lindi në Malajzi në një familje të klasës punëtore. Alkoolizmi i babait dhe mungesa e përgjegjësisë personale për pasojat e pirjes e bënë shtëpinë e saj të pakënaqur.

Ajo lulëzoi akademikisht në shkollë, por shpesh mërzitej.

Për argëtim, ajo kënaqej duke transmetuar informacione konfidenciale që njerëzit i kishin thënë, sekrete që ajo ishte betuar t’i ruante.

Victoria dinte të manipulonte të tjerët për të marrë përgjegjësinë për gabimet që bënte, ose çfarë të thoshte për të shpëtuar nga telashet.

“Një pjesë e të qenit psikopat është të mos kujdesesh se çfarë mendojnë njerëzit. Por kjo tregon se sa pak njerëzit e kuptojnë spektrin e plotë të gjendjes”, tregon ajo.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore