Lajme

Taravari shpall kandidaturën për President të Maqedonisë së Veriut


Arben Taravari

Arben Taravari, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, ka shpallur këtë të enjte kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut.

Taravari, kandidaturën e tij e shpalli nga qyteti i Gostivarit – kryetar i të cilit është vet ai – ku njoftoi se ka mbështetjen e opozitës shqiptare më Maqedoni të Veriut (Lidhja Evropiane për Ndryshim – LEN), dhe të partisë që ai udhëheqë, ndonëse aktualisht kjo parti është e përçarë, pasi që themeluesi i saj, Ziadin Sela, ka dalur kundër vendimit të Taravarit për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Madje, Sela dhe një numër i madh i eksponentëve të lartë të ASH-së, kanë mbajtur Kuvendin Qendror – i cili nuk është njohur nga Taravari – ku ka marrë vendimin për shkarkimin e kryetarit të partisë.

Në fjalën e tij, kryetari i Gostivarit, tha se “erdhi koha që shteti të ketë president shqiptar, jo teknik, por të vërtet”, duke tentuar kështu që të minimizoi momentin historik të zgjedhjes së Talat Xhaferit, si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut.

“Secilit kandidat tjetër i dëshiroj sukses dhe le të jetë kjo fushatë rrëfim për frymëzim, evropianizim dhe triumf. Ndryshimi ka filluar dhe kjo tashmë shihet”, theksoi Taravari.

Kreu i ASH-së deklaroi se kreu i Lëvizjes Besa (pjesë e opozitës shqiptare), Bilall Kasami i ka ofruar atij që të zgjedh mes bartësit të listës në njësinë zgjedhore 6 dhe kandidaturës për president.

Në këto rrethana, Taravari bëri me dije se vendimin e ka marrë mbrëmë (e mërkure) – pra ka zgjedhur kandidaturën për president.

“Të jem korrekt deri në fund. Bilalli, kryetari i Besës më ka ofruar të zgjedh, a do president apo bartës në Njësinë Zgjedhore numër 6, por së bashku në analiza me shokë me miq dhe me dashamirë, edhe me njerëz që kanë sens se si duhet të veprohet, si duhet të lëvizet tutje, unë zgjodha që të jem kandidat për president, kurse Bilall Kasami të jetë bartës në zonën numër 6”, shtoi ai.

Ndryshe, të mërkurën Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitrevski, ka caktuar datat për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Zgjedhjet për president do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Në periudhën parazgjedhore, Mitrevski theksoi se të gjitha institucionet kompetente dhe të gjitha subjektet e përfshira në zgjedhje “do të japin kontributin e tyre që të kemi zgjedhe të drejta, të lira dhe demokratike, ashtu siç e meriton një shtet, anëtar i NATO-së dhe shtet që ka zgjedhur rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”.

“Maqedonia e Veriut në proceset e kaluara zgjedhor ka dëshmuar se ka kapacitet të organizoj zgjedhje demokratike në përputhje me parimet dhe vlerat evropiane. Shprehja e të drejtës për të votuar lirshëm është akti më i lartë i demokracisë dhe besoj se qytetarët në këto zgjedhje do të bëjnë zgjidhjen më të mirë për ardhmen e shtetit”, tha Mitreski.

Zgjedhjet do të organizohen nga qeveria teknike, e cila drejtohet nga kryeministri i parë shqiptar Talat Xhaferi, i cili u zgjodh më 28 janar të këtij viti, 100 ditë para zgjedhjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore