Lajme

Taktika e bojkotimit të votimeve në Veri nga Lista Serbe bie ndesh me interesat e komunitetit serb në Kosovë, thotë profesori amerikan


Paul Williams

Profesori i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e fundit të Listës Serbe – partia me mbështetjen më të madhe në mesin e komunitetit serb në Kosovë – për ta bojkotuar procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në Veri.

Kjo taktikë e bojkotimit të votimeve, sipas Williams, nuk është një mënyrë serioze për të mbrojtur interesave të komunitetit serbë në Kosovë.

“Kosova ka demonstruar aftësitë e saj për t’iu përmbajtur shtetit ligjor, për të pasur zgjedhje demokratike. Sinqerisht ka ardhur koha që drejtuesit e serbëve në Kosovë ta përqafojnë plotësisht demokracinë, ashtu siç angazhohen të gjithë të tjerët në Evropë në procesin politik”, ka potencuar ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Duke komentuar mos-zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, profesori amerikan, ka vlerësuar se sa herë që bëhet përparim sado e vogël në këtë drejtim, Serbia ngacmon Kosovën, ose krijon provokime në terren.

“Mendoj se Serbia nuk ka arritur ta kuptojë se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, se është një vend i pavarur dhe në rrugëtimin drejt Evropës. Serbia nuk ka vendosur ende nëse po shkon drejt Evropës apo drejt Rusisë dhe mendoj se vazhdon të mbahet pas Kosovës si diçka që mund ta përdorë për të tërhequr vëmendjen nga pozicioni i saj në Evropë”.

Kosova, në anën tjetër, sipas Williams, ka bërë gjithçka që i është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, për u demokratizuar, për t’u reformuar ekonomikisht, për të qenë një aleate e mirë e Perëndimit.

“Ka ardhur koha për amerikanët dhe evropianët që ta mbështesin plotësisht iniciativën politike të Kosovës dhe t’ia bëjnë të ditur Serbisë se tani është koha për të vendosur: Perëndimin apo Lindjen? Nëse Serbia shkon drejt Lindjes, s’ka problem. E shohim se çfarë u ka ndodhur atyre që e kanë ia kanë bashkangjitur të ardhmen e tyre Rusisë. Nuk u ka dalë dhe aq mirë”, ka shtuar ai.

Williams gjatë intervistës i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës sa i përket rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

“Nga pikëpamja ligjore, qeveria e Kosovës ka të drejtën e plotë të vendosë se cilat monedha janë të pranueshme, brenda juridiksionit të saj. Sigurisht që mundet ta bëjë këtë në një mënyrë të rafinuar, por është krejtësisht e arsyeshme t’u kërkosh shtetasve në territorin tënd që të përdorin targat e tua, të përdorin monedhën tënde dhe të zbatojnë ligjet e vendit tënd”.

I pyetur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Williams ka theksuar se Kosova e ka pranuar këtë mekanizëm, por ajo çfarë i duhet asaj në këtë fazë janë garanca të hekurta se Asociacioni nuk do të përdoret për të dëmtuar sovranitetin e saj.

“Mund të thoni që t’i besojmë fjalës së Serbisë, por kemi Bosnjën si një shembull të asaj që kanë bërë me këtë lloj asocacioni, apo identiteti politik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore