Lajme

Tajlandë, humb jetën në rrethana misterioze turistja zvicerane


Autoritetet në Tajlandë kanë njoftuar se janë duke hetuar mbi vdekjen e një turisteje 57-vjeçareje zvicerane. Trupi i gruas u gjet pranë një ujëvare në ishullin Phuket.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore mendohet se vdekja e saj ka ardhur nga shkaqe jonatyrale.

“Gruaja po vizitonte vendin sipas skemës ‘Phuket Sandbox’, një projekt-pilot i qeverisë i ndërtuar për të lejuar ringjalljen e sektorit të turizmit të shkatërruar nga pandemia COVID-19”, tha guvernatori i Phuket Narong Woonciew, duke shtuar se ajo kishte mbërritur në ishull më 13 korrik.

“Me sa duket gruaja kishte vdekur tri ditë para se trupi i saj të gjendej, pjesërisht i veshur”, tha Kitirath Phanpetch, komandant i policisë së Rajonit 8 që mbikëqyr Phuket, në një intervistë në televizionin “MCOT”.

Edhe pse policia nuk e ka përcaktuar ende shkakun e vdekjes, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Tanee Sangrat, shprehu ngushëllimet në Ambasadën Zvicerane në Bangkok në një deklaratë, duke e përshkruar rastin si “vrasje”.

“Pasi përfundoi kushtet e mbërritjes, gruaja udhëtoi për në Krabi dhe u kthye. Ajo qëndroi në një hotel në Phuket, rreth dy kilometra nga ujëvara ku u gjet më vonë”, tha Kitirath.

Nё trupin e saj u gjetёn ënjtje dhe mavijosje, teksa rezultatet e autopsisë pritet tё dalin të premten.

“Trupi i saj ishte i mbuluar me njё rrobë, çka tregon se dikush duhet ta ketë vendosur aty dhe se shkaku i vdekjes nuk ёshtё natyral”, tha ai.

Kitirath tha se policia po hetonte persona me precedentë penalë, gjithashtu dhe punëtorë emigrantë.

Skema e turizmit në Phuket në Tajlandë, në të cilën vizitorët e vaksinuar mund të kalojnë karantinën COVID-19, por duhet të qëndrojnë në ishull për 14 ditë, është përballur me një fillim të vështirë, veçanërisht pasi pjesa tjetër e Tajlandës përballet me një rritje të infeksioneve tё coronavirusit.

Skema tërhoqi rreth 15 mijё vizitorë në korrik, nё muajin e saj të parë, qё pёrbёjnё vetëm 1% të mbërritjeve krahasuar me periudhёn para pandemisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore