Lajme

Tahiri: Qeveria të koordinohet me SHBA-të për çështjen e dinarit


Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Tahiri, duke komentuar rregulloren e fundit të BQK-së dhe presionin ndërkombëtar për këtë çështje, ka potencuar se me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje qasja ndaj SHBA-ve ka ndryshuar.

“Për herë të parë me këtë qeveri ka ndryshuar edhe qasja e koordinimit me aleatët tanë pra me SHBA-të”.

“Ne edhe shtrirjen e sovranitetit në Veri edhe integrimin e institucioneve, edhe mbajtjen e zgjedhje të rregullta, edhe zgjidhjen e kryetarëve të komunave legjitim nga qytetarët serb që ka ndodhur për herë të parë në 2017 e kemi bërë pikërisht në koordinim të ngushtë me SHBA-të. Ajo që mendoj që duhej të ndodhte është thjeshtë një koordinim dhe një angazhim më i mirë me SHBA-tënë këtë proces”, ka pohuar ai.

Tahiri, ka deklaruar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kanë propozuar që në seancën e së enjtes të themelohen dy komisione hetimore parlamentare, për dy çështje të ndara.

Tahiri bëri të ditur se do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor për punësimin e konsulentit, Gani Jakupi, që në nëntor të vitit të kaluar u bë krye temë për shkak të pagesës prej 7 mijë 500 eurosh në muaj nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Tahiri ka thënë se komision hetimor kanë kërkuar edhe për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Çështja tjetër është çështja e komisionit hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në IML dhe si grup parlamentar e kemi denoncuar dy herë zjarrvënien në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër vendimit të Bankë Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, para gazetarëve, menjëherë pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dua të përsërisë qëndrimin e SHBA-ve: kemi  shqetësime serioze dhe rezerva për zbatimin e këtij vendimi. Mund ta them lirisht se jemi kundër këtij vendimi”, deklaroi Hovenier.

Ai shtoi se për shkak të shqetësimeve që kanë për eskalim të tensioneve, kjo çështje fillimisht duhet të diskutohet në Bruksel.

“Kemi përshtypjen se nuk janë në dijeni të plotë për impaktin që do ta ketë ky vendim për qytetarët, sidomos për ata që marrin ndihma nga Serbia këtu në Kosovë. Mendojmë që kjo cështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm, por gjithashtu diskutim në dialogun e Brukselit, jemi të shqetësuar se mund t’i ekskalojë tensionet etnike”, pohoi Hovenier.

Konjufca siguron Hovenier: Situata s’del jashtë kontrollit pse dinari u heq nga përdorimi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore