Lajme

Tahiri: Qeveria s’po i rrit pagat në sektorin publik ndërsa po e kërkon këtë nga sektori privat


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj konferencës së të mërkurës që është mbajtur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas tij, ekzekutivi vetëm është duke e rënduar jetën e qytetarëve përmes mashtrimit të tyre.

“Rrugës për te Kuvendi i Kosovës e dëgjova konferencën për media të kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Më la shumë përshtypje një mashtrim skandaloz që e bënë me qytetarët e Kosovës, ministri Hekuran Murati”.

“Në këtë konferencë, ai kërkonte që sektori privat t’i rrisin pagat për punëtorët sepse u është rritur fitimi. E, është vet personi përgjegjës, që e ka në dorë, me një rishikim buxhetor, me një ndërrim të një neni, ta rris koeficientin nga 105 në 129 euro, siç kemi rekomanduar si AAK dhe me i rritë pagat në sektorin publik për 80 mijë njerëz”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social ‘Facebook’. 

Ai tutje ka thënë se është vetë ministri që e ka në dorë rritjen e pagave në sektorin publik dhe është e pakuptueshme që të kërkoj rritje të pagave nga sektori privat.

“Pra, e ka në dorë vendimin për t’i rritur pagat në sektorin publik, e kërkon një gjë të tillë nga sektori privat, që s’ka bërë asgjë për ta”.

Ndër të tjera ai tha se për sektorin privat ekzekutivi nuk ka bërë asgjë.

“Kjo është një qeveri, është një ministër i Financave që nuk ka bërë asgjë për sektorin privat, për biznesin, për ekonominë, veçse ua ka rënduar jetesën, e veçse u ka qëndruar mbi kokë, tash e dy vjet e gjysmë”.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte vendosur të mbaj seancë më 22 qershor, me vetëm një pikë të rendit të ditës, interpelancë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Interpelanca ndaj tij ishte mbajtur për rishikim të buxhetit dhe rritjen e pagave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore