Lajme

Tahiri e quan Kurtin babadimër: Me një dorë shpërndanë, e grabit më të dyja


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar pas faturave të larta të energjisë elektrike në muajin dhjetor, derisa për këtë e ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu.

“Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250-350 euro”, shkroi Tahiri.

Kjo, sipas deputetit të AAK-së, është qeverisje – duke iu referuar ekzekutivit të Kurtit – “e të paaftëve dhe mashtruesve’.

“Ky kryeministër është babadimri i llojit të vet, i cili shpërndanë me një dorë, e grabitë me të dy duart. Hajde tash kallxona se si KEDS-i përcakton çmimet, dhe se si ju nuk keni asgjë në dorë”, potencoi ai ndër të tjera.

“Turp!”, përfundoi Tahiri.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, faturat e larta të energjisë elektrike janë “goditja e radhës për familjet kosovare”.

“Në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet ‘e fuqishme” të kësaj qeverie. Faturat e larta të energjisë janë goditja e radhës për familjet kosovare”, ka shkruar ai në Facebook.

“Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë”, shtoi ai.

Ndërsa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që rritjen e faturave të larta të energjisë elektrike ta hetojë me urgjencë.

“Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë”, thuhet në reagim.

Tahiri për faturat e larta të energjisë elektrike: Janë goditja e radhës për familjet kosovare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore