Lajme

Tahiri për faturat e larta të energjisë elektrike: Janë goditja e radhës për familjet kosovare


Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, faturat e larta të energjisë elektrike janë “goditja e radhës për familjet kosovare”.

“Në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet ‘e fuqishme” të kësaj qeverie. Faturat e larta të energjisë janë goditja e radhës për familjet kosovare”, ka shkruar ai në Facebook.

“Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë”, shtoi ai.

Ndërsa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që rritjen e faturave të larta të energjisë elektrike ta hetojë me urgjencë.

“Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, qytetarë të shumtë janë ankuar për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në muajin dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore