Lajme

Szunyog: BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e sektorit të drejtësisë në Kosovë


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, të mërkurën është takuar me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Szunyog ka thënë se ka biseduar për zhvillimet e fundit brenda sistemit të drejtësisë.

“Diskutuam zhvillimet e fundit brenda sistemit të drejtësisë dhe theksuam rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe bashkëpunimin midis ekzekutivit dhe gjyqësorit”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se do të vazhdojnë të mbështesin sistemin e drejtësisë.

“BE-ja do të vazhdojë të mbështesë sektorin e drejtësisë dhe zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë, ndërsa përparon në rrugën e saj të integrimit në BE”.

Ndryshe, më 2 dhjetor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, të premten.

Në vitin 2017 kryeministri i Kosovës atëherë, Ramush Haradinaj, pati rritur pagat për shumë kategori dhe mes tyre për gjyqtarë dhe prokurorë.

Përkundër faktit se një gjë e tillë konsiderohej si joligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ky vendim asnjëherë nuk ishte shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, pavarësisht kërkesave të opozitës e shoqërisë civile në atë kohë.

Vendimi ishte prekur më pas në vitin 2020 nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, por vetëm për zyrtarë qeveritarë, derisa pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë mbetën, meqë edhe shkonte me premtimet e vetë Kurtit për paga të larta në këtë sektor.

Përfundimisht, me Projektligjin për paga nga Qeveria e Kosovës, më 23 nëntor ulje të pagës kishin pësuar edhe gjyqtarët edhe prokurorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore