Shqipëria

“Sytë e krimit”, operacioni policor zbuloi një qendër monitorimi në Shkodër


Problematika e kamerave “kriminale” që përdoreshin për të vëzhguar lëvizjet e autoriteteve u risoll në vëmendje pas detajeve të para zyrtare të operacionit “Metamorfoza”.

Pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit evidentuan se në Shkodër kishte një qendër monitorimi që përdorej nga eksponentët e krimit.

Ky operacion i cili ka nisur mbrëmjen e 26 korrikut në disa qytete të Shqipërisë është konsideruar prej tyre “me shkallë të lartë vështirësie”.

Në operacion janë përfshirë Forcat Speciale RENEA, FNSH, Forca e Posaçme Operacionale, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale, drejtoritë vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut.

Gjatë operacionit u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i provave materiale: tetë armë zjarri (gjashtë pistoleta, një automatik, një pushkë), municion luftarak, 19 karikatorë për mbajtje municionesh, dy baza për vendosje snajperi , tre armë gjahu, , dy baza karikues radiosh policie, dy armë të ftohta, tre maska, një paruke, tetë automjete (katër prej tyre të blinduara), një kamera kurth, dy targa automjetesh, tre ora dore të markave të shtrenjta, 3 milionë e 409 mijë lekë, 31 mijë e 205 euro, 4 mijë e 400 dollarë, tre USB, shtatë DVR, 28 celularë dhe një laptop.

Kush vëzhgon, çfarë vëzhgon?!

Detajet e operacionit

Policia ekzekutoi masat e sigurisë “Arrest në burg”, për gjashtë shtetas, ndërsa ka shpallur në kërkim nëntë shtetas të tjerë.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë edhe dy shtetas të tjerë, për armëmbajtje pa leje dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, tetë automjete (katër prej tyre të blinduara), maska, paruke dhe sende të tjera të paligjshme që përdoreshin nga pjesëtarët e grupit kriminal.

“Strukturat e Policisë së Shtetit, ditën e djeshme u përfshinë në një operacion të një shkalle të lartë vështirësie dhe të ruajtjes së sekretit, për ekzekutimin e masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO, për pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal”, vëren fillimisht Policia.

Gjatë këtij operacioni të mirë-organizuar, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga GJKKO, për gjashtë shtetas.

Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet për disa vepra penale. Nga “vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale” deri te “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Gjoka dyshohet edhe për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim si dhe për “mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjithashtu, u arrestua Edmond Preka, 46 vjeç, banues në Velipojë, i dyshuar për disa vepra penale.

Nga “vrasje me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale” te “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Ai dyshohet edhe për “mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Një tjetër i arrestuar është edhe Astmer Bilali, 34 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.

Ish-polici Ardit Hasanbenga, 41 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar gjatë këtij operacioni pasi dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë te bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.

Ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri, 41 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua pas dyshimeve për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Ndërsa ish-prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, 50 vjeç, u arrestua pasi dyshohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, kryer dy herë dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK) këta janë autorët e dyshuar të katër ngjarjeve kriminale të regjistruara gjatë vitit 2020 dhe 2021 në Shkodër.

Bëhet fjalë për: vrasjen e Gjin Boriçi Ndojit, në Shkodër në gusht të vitit 2020, vrasjen e mbetur në tentativë të Taulant Pepaj, në Shkodër në shkurt 2021, sigurimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut në shtator të vitit 2020 në Tiranë dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorjan Dhulit, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit, në vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore