Shqipëria

Kush vëzhgon, çfarë vëzhgon?!


Me zbulimin e 65 kamerave të tjera të sigurisë në Tiranë dhe 37 kamerave të tjera në Elbasan, operacioni policor “Fijet” mbylli fazën e nëntë dhe të dhjetë të kontrollit në mbarë vendin.

Pas më shumë se dy javësh, autoritetet kanë sekuestruar një shifër të përafërt prej 500 pajisjesh survejuese, të cilat ishin në dorën e krimit të organizuar, shumica prej tyre ende pa autor.

Për ekspertin e sigurisë dhe kriminalistikës Prof. Ass. Dr Ervin Karamuço, aksioni i Policisë së Shtetit që po zhvillohet në të gjithë territorin duhet të ishte i njëkohshëm, i fshehtë dhe jo i ekspozuar.

Kjo, që të kishin mundësi të kapeshin në flagrancë autorët dhe pronarët e tyre dhe të vendoseshin përpara përgjegjësisë ligjore.

Po ashtu përveç kamerave, tregon ai për Albanian Post, autoritetet duhet të kapnin dhe sekuestronin serverët dhe memoriet grafike për të parë çfarë ata kanë administruar, për çfarë e kanë përdorur.

Sipas Karamuços, këto veprime do na zbardhnin shumë ngjarje dhe informacione të cilat policia nuk i ka ende në arkivin e saj dhe nuk e di fare se pse janë vendosur këto pajisje.

Prof. Ass. Dr Ervin Karamuço

“Cili ka qenë qëllimi konkret dhe ajo del vetëm nga dekriptimi i të gjitha serverëve që nuk janë gjetur akoma, madje shumica e kamerave ende janë pa pronar”, vëren ai.

Eksperti i sigurisë ngriti alarmin pasi heqja e këtyre kamerave nga shtyllat (telefonike dhe të energjisë elektrike) po rrezikon jetën e efektivëve të policisë.

“Po bëhet nga vetë ata ndërkohë duhet të bëhet nga punonjësit e enteve që të jenë të certifikuar, të specializuar sepse mund të ndodhin raste që me një pincë dhe ca dorashka që nuk janë për atë punë, policët mund të humbasin jetën. Pra, shikoni se sa në vështirësi i kanë vendosur. Nuk e di se kush e ka nxjerrë atë urdhër që vetë Policia të ngjitet majë shtyllave. Kjo nuk duhet të ndodhte sepse rrezikon rëndë jetën e efektivëve të Policisë, të cilët nuk janë trajnuar dhe specializuar për atë lloj detyre”, u shpreh për AP-në – Ervin Karamuço.

Sistemet televizive me qark të mbyllur (CCTV) kanë qenë subjekt i komploteve të panumërta kriminale.

Konflikti midis të drejtave është po aq i njohur sa termi Big Brother.

Sepse kontrollimi i një numri të madh njerëzish përmes regjistrimeve audio ose imazheve është bërë një dukuri e përditshme.

CCTV-ja e parë u instalua në Gjermani në vitin 1942. I projektuar nga inxhinieri Walter Bruch, ai u përdor për qëllime ushtarake për të kontrolluar raketat famëkeqe V-2, të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore për të bombarduar Londrën.

Tetëdhjetë vjet më vonë, numri i kamerave të vëzhgimit tejkalon 1 miliard në mbarë botën.

Qytetet në Indi dhe Kinë kryesojnë listën e qyteteve në botë me më shumë kamera vëzhgimi CCTV.

IP CCTV CAMERA ADVANTAGES – Iris Fire and Security

Goditja e teknologjisë

Nga ana e autoriteteve është bërë e ditur se pjesë e goditjes së operacionit janë bërë të gjitha kamerat të cilat nuk janë në përputhje me ligjin.

Pra, si ato që janë nga subjekte që kapërcejnë fuqinë e ligjit, apo nuk kanë marrë vërtetimin e sigurisë, apo e kalojnë perimetrin ku mund ta vendosin kamerën, pra subjekte private që futen në hapësirën publike.

“Edhe gjatë këtyre ditëve kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm edhe me autoritetet e tjera si ato vendore dhe me komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale ku qartësisht shprehet se ka një shkelje të të drejtave të njeriut në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, pra përpunimin e këtyre të dhënave pa pëlqimin e atyre personave që u merren, qofshin këta qytetarë të thjeshtë apo edhe persona që kanë biznese ngjitur”, deklaroi zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Karamuço vëren se kjo ka qenë një strategji që është miratuar në fund të dhjetorit nga ana e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për luftën kundër krimit.

“Një nga elementët kryesorë ka qenë edhe fillimi i goditjes së teknologjisë që përdoret nga krimi i organizuar por do ndodhte shpërthimi në Shkodër që menjëherë të vihej në veprim si asnjëherë më parë. E para duhet të dalin përgjegjësit të Policisë së Shtetit që nuk do të nisen nga një strategji por gjithë këto vite pse nuk kanë vepruar. Janë gati 15 vjet që nuk kanë vepruar edhe pse kamerat kanë ekzistuar në lagje dhe zona publike”, thekson eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës.

Ai zbulon se kur Policia u hodh në veprim vetëm për ngjarjen e Shkodrës por edhe për disa fenomene të tjera ku policia shkonte në vendngjarje, kërkonte zbardhjen e kamerave dhe nuk identifikoheshin serverët sepse ishin të grupeve kriminale dhe policia nuk merrte dot të dhëna mbi këto kamera.

Kështu që ishin evidentuar me kohë të gjitha këto kamera që mund të shfrytëzoheshin shumë mirë nga Policia sipas ligjit por nuk kanë dhënë asnjë informacion, shtoi Karamuço.

“Sigurisht që është një veprim që ka efekte mbi krimin e organizuar dhe organizatat e tjera në përgjithësi që janë edhe trans-kombëtare, por nëse ne nuk kemi të arrestuar, nëse ne nuk kemi identifikuar pronarët e këtyre kamerave, të serverëve përkatës, të mënyrës se si e kanë ndërtuar këtë teknologji nuk i kemi bërë asgjë krimit, përveçse i kemi ndryshuar ose i kemi vënë në mendime për të ndryshuar taktikë se çfarë do të bëjë në të ardhmen”, garanton eksperti.

Madje ai deklaron se grupet kriminale mund të infiltrohen nëpër kamerat e bizneseve të ligjshme për të bërë të njëjtën punë që kanë bërë me kamerat e tyre deri më sot.

“Kështu që duhet parë në një koncept më të gjerë, duhen vendosur masa të tjera të një kontrolli të vazhdueshëm, konstant të territorit për të parë kush vëzhgon, çfarë vëzhgon dhe për çfarë qëllimi”, shprehet Karamuço për Albanian Post.

Tirana si epiqendër

Gjysma e kamerave të sekuestruara deri më tani i përkasin grupeve kriminale në kryeqytet me 220 të tilla.

“Aktualisht në Tiranë, mesa kam marrë informacione nga Policia e Shtetit të gjashtë komisariatet janë të fokusuar më së shumti në lagje dhe pranë shtëpive të banimit ose të personave në kërkim ose të personave me rekorde të rënda kriminale të cilët edhe janë liruar nga burgu”, shpjegon eksperti i sigurisë.

Për të, këta persona nuk kanë mbikëqyrur vetëm banesat e tyre por edhe hapësirat të tjera publike që iu ndalohet nga ligji.

Karamuço sjell në vëmendje se duhet të kishte një regjistër paraprak në Policinë e Shtetit për dhënien e certifikatave ose vërtetimeve të sigurisë për këto pajisje.

“Ende ka shumë e shumë kamera që nuk iu ka dalë pronari edhe në Tiranë dhe po bëhen hetime, po krihet i gjithë territori me mënyrën e kontrolleve të vazhdueshme por për këtë duhet të kishte një regjistër paraprak. Një regjistër ekziston në Policinë e Shtetit por është shumë formal dhe me numër të vogël të atyre që ne i themi për dhënien e certifikatave ose vërtetimeve të sigurisë ndërkohë që për një pjesë tjetër shumë të madhe, këto kamera nuk dihet për çfarë janë vendosur, çfarë mbrojnë, çfarë vëzhgojnë etj”.

Një skenar i mundshëm i vonesave dhe eficencës së autoriteteve shqiptare, sipas ekspertit të sigurisë, mund të jetë mosveprimi në kohë në të gjithë territorin e Shqipërisë për t’i hequr këto kamera.

“Ka ndodhur që në disa zona si në Tiranë ose në qytete të tjera ku vala e kontrollit po mbërrin më vonë se në qytetet e tjera, ata ose po i heqin vetë, ose po i dëmtojnë, po i nxjerrin jashtë funksionit që kur të shkojë Policia të mos ketë asnjë lloj mënyre për të identifikuar përmes tyre grupet kriminale”, mendon Prof. Ass. Dr Ervin Karamuço.

Debati etik

Përfitimi kryesor urban i kamerave të vëzhgimit është siguria e shtuar që ato ofrojnë.

Së bashku me instrumentet e njohjes së fytyrës, kamerat e vëzhgimit janë një burim i vlefshëm dhe thelbësor për të siguruar respektimin e ligjit.

Sot madje është e vështirë të gjendet një parim ligjor që të mos lejojë që pamjet audiovizive të marra në hapësira publike nga një subjekt institucional të përdoren si provë në gjykatë.

Përdorimi i gjerë i kamerave ka ndryshuar vetë natyrën e krimeve dhe mënyrën se si ato ndiqen. Ato mundësojnë mbajtjen e të dhënave për shkelësit dhe zgjerimin e mbikëqyrjes për t’u fokusuar në grupe të mëdha.

5 Ways to Reduce Theft & Crime using Cloud CCTV Camera- VMukti

Ato gjithashtu kontribuojnë në sigurimin e pajtueshmërisë me rregulloret publike, pasi pamjet shërbejnë si provë në urdhrat administrative.

Shembuj të kësaj janë radarët e shpejtësisë ose kamerat që kontrollojnë aksesin në zonat në të cilat drejtimi i automjetit është i kufizuar.

Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) përdor Londrën si shembull joefektiv.

Sipas studimeve të brendshme, nuk ka asnjë provë që përdorimi i videokamerave çon në një ulje cilësore të numrit të krimeve të kryera apo në parandalimin e krimeve.

Për më tepër, vendosja e kamerave video përbën 20 për qind të buxhetit britanik në luftën kundër krimit.

Si me të gjitha teknologjitë, keqpërdorimi i kamerave mund të rezultojë në padrejtësi.

Mund të ketë një motiv personal dhe/ose kriminal pas një përdorimi të tillë, apo edhe një motivim institucional që mund të çojë në diskriminime shoqërore.

Sistemet e rezultateve sociale varen në një masë jo të vogël nga rrjetet e gjera CCTV.

Qëllimi i këtyre teknologjive lidhet shumë ngushtë me mënyrën se si ne i përdorim ato.

Ky lloj mjeti kërkon rregulla gjithëpërfshirëse dhe mekanizma të rreptë të vetërregullimit.

Megjithëse disa qytetarë dhe ligjvënës besojnë se heqja e privatësisë mund të jetë e vlefshme për sakrificën për të mbështetur demokracinë urbane, raste të tilla si ajo e Moskës, ku kriminelët kibernetikë ofrojnë akses të paligjshëm në pamjet nga rrjetet e vëzhgimit, tregojnë se potenciali i vëzhgimit me video për t’u shfrytëzuar për qëllimet dashakeqe nga njerëzit brenda dhe jashtë sistemit është një realitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore