Lajme

Sveçla publikon një dokument: Ushtria e Serbisë ua dha lansuesin e granatave grupit terrorist  


Dokumenti i publikuar nga Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka publikuar një dokument, i cili sipas tij, vërteton që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla.

Përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist, i cili u fut ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtarë të saj të dielën e 24 shtatorit, sipas Sveçlës, institucionet kosovare po e mbështesin edhe me fakte e dokumente te pakontestueshme.

“Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”.

Ndryshe të mërkurën, Sveçla, ka njoftuar se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, është truproje e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandar Vulin.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiç. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviç, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, shkroi Sveçla.

Lansuesi i granatave

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se katër sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Sveçla: Njëri nga terroristët e vrarë, turproja e Vulinit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore