Lajme

Sveçla: Pos policëve, Serbia ka arrestuar edhe qytetarë tjerë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur para gazetarëve nga vendi ku janë kidnapuar tre policë të Kosovës nga policia serbe këtë të mërkure.

Ai ka theksuar se pos policëve, ka informacione se janë arrestuar edhe qytetarë të tjerë të Kosovës në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare.

“Kemi informacione paraprake për arrestime të qytetarëve tanë në pikën kufitare në Merdare”, deklaroi Sveçla.

Kreu MPB-së ka potencuar se kidnapimi i policëve të Kosovës u bë në shenjë hakmarrje nga Serbia pas arrestimit të Milun Milenkoviç-it në Veri.

“Serbia qartë po mundohet ta minojë rrugën tonë drejt shtet-ndërtimit të plotë, shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, që absolutisht s’do t’ia dalë, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe do të veprojmë sipas ligjit”, shtoi ai.

Sveçla ka treguar se ushtria e Serbisë është futur 600 metra brenda territorit të Kosovës dhe pastaj kanë vazhduar në grupe të ndara në këmbë.

Pretendimet e Serbisë

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës ka dalur me reagim edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ata të tre janë kapur brenda territorit të Kosovës, derisa MPB pretendon se i kapën në territorin e Serbisë.

Sipas njoftimit të tyre, policët kishin për qëllim kryerjen e një aksioni.

MPB serbe shkruan se ky aksion, sipas tyre, “sipas të gjitha parametrave është akt me qëllim të destabilizimit shtesë dhe përshkallëzimit të konfliktit të drejtuar kundër Republikës së Serbisë”.

Ndërsa, Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konferencë për media të mërkurën në Beograd, pretendoi se policët e kidnapuar të Kosovës nga xhandarmeria serbe “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.

Madje, sipas korrierit kryesor të propagandës serbe, policët kufitarë të Kosovës “janë arrestuar në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në afërsi të Rashkës”, ndërsa shtoi se “pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës”.

Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, çfarë ndodhi?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore