Kosova

Sveçla dhe Mehmeti monitorojnë situatën në kufirin e Merdares


Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë vizituar pikë kalimin kufitar Merdare në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve.

Përmes një komunikate për media nga Policia e Kosovës, theksohet se vendimi i Qeverisë së Kosovës obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Kosovës.

“Me qëllim të shmangies së pritjeve të mundshme, në këtë pikë kalim kufitar, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të reduktuar në maksimum pritjet, duke shtuar kapacitetet e burimeve njerëzore dhe duke vënë në funksion gjashtë korsi për qarkullim, prej tyre katër korsi për automjete dhe dy korsi për mjetet transportuese, përfshirë atë të transportit të udhëtarëve”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se në nga ana kosovare “nuk ka pritje, përveç realizimit të procedurave të kontrollit kufitar të cilat zgjasin afërsisht nga tre deri në pesë minuta”.

Pikë kalimi kufitar në Merdare

“Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave”, vijon njoftimi.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë vizituar pikë kalimin kufitar Merdare në mes të Kosovës dhe Serbisë

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.

Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa “RKS” t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Zbatimi i reciprocitetit të targave

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore