Lajme

Suspendohet kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala


Ramiz Buzhala.

Me vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), është suspenduar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala.

Këtë e ka bërë të ditur KPK-ja përmes një komunikate për media.

“Me kërkesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi, Jetish Maloku, ka mbajtur sot takim urgjent për të diskutuar lidhur me rastin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala”.

“Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala. Gjithashtu, KPK ka marr vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Pas suspendimit të Buzhalës, KPK, ka marrë vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, në pozitën e ushtruesit të detyrës të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

“Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesional për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë”.

Të mërkurën e 13 qershorit, është raportuar se Buzhala ka shpërndarë disa pyetje të testit për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ndër të tjera, për dyshimet ndaj kryeprokurorit Buzhala, reagime ka pasur edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore