Kampionate

Superliga/ Ndeshjet e javës së 15-të


Ekipet e Superligës shqiptare do të zbresin në fushën e blertë , për javën e 15-të të kampionatit. Katër ndeshje do të luhen ditën e mërkurë, duke filluar nga ora 13:45. Ditën e enjte, do të rikthehet derbi i Shqipërisë, Partizani përballë Tiranës, duke filluar nga ora 18:00.

Në ndeshjet e ditës së mërkurë, Bylisi vendas do të presë Vllazninë. Vendasit kanë qenë shumë aktiv në merkato dhe do tentojnë të suprizojnë shkodranët.

Bylisi aktualisht renditet në vendin e tetë në renditje me 12 pikë. Miqtë kanë 20 pikë më shumë dhe udhëheqin Superligën.

Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, Bylisi ka tre humbje, një barazim dhe një fitore. Në krahun tjetër, Vllaznia ka katër fitore dhe një barazim.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve, e luajtur për llogari të fazës së parë të Superligës, në Shkodër, ka përfunduar me fitore minimale për vendasit 1-0.

Bylisi në shtatë ndeshjet si ekip pritës ka dy fitore, tre barazime dhe dy humbje. Vllaznia si ekip udhëtues ka katër fitore, dy barazime dhe një humbje.

Në sfidën tjetër, Kastrioti do të presë Teutën. Vendasit renditen në vendin e shtatë në kampionat. Për miqtë pozitat në renditje janë më të mira, pasi janë në vendin e tretë. 17 pikë kanë vendasit deri tani, kundrejtë 23 pikëve të durrsakëve.

Pesë ndeshjet e fundit në kampionat, për krutanët janë tre humbje, një fitore dhe një barazim. Për miqtë janë tre fitore, një humbje dhe një barazim.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve, e luajtur në Durrës, ka përfunduar në barazim 1-1.

Kastrioti si ekip pritës, në shtatë ndeshje ka arritur tre fitore, tre barazime dhe një humbje. Teuta si ekip udhëtues ka katër fitore, dy barazime dhe një humbje.

Ndeshja e radhës, Laçi vendas pret  Skënderbeun. Për kurbinasit janë 20 pikë dhe vendi i katërt në kampionat. Për korçarët janë 10 pikë deri tani dhe vendi i fundit në renditje.

Pesë ndeshjet e fundit në kampionat, kurbinasit kanë tre fitore dhe dy humbje. Në krahun tjetër miqtë kanë tre humbje, një barazim dhe një fitore.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve, gjatë fazës së parë, e luajtur në Korçë, ka përfunduar me rezultatin 1-1.

Laçi si ekip pritës, në shtatë ndeshje ka arritur pesë fitore, një barazim dhe një humbje. Vetëm Vllaznia ka më shumë fitore si ekip pritës sesa Laçi, gjashtë të tilla. Skënderbeu si ekip udhëtues ka një fitore, dy barazime dhe katër humbje.

Apolonia kundër Kukësit do të jetë ndeshja e fundit e ditës së mërkurë në Superligë. Vendasit e kanë marr veten pas ardhjes së trajnerit të ri, Fabrizio Cammarata-s.

Rezultatet e fundit pozitive kërkojnë që t’i vazhdojnë dhe me një fitore përballë Kukësit. Me miqtë që kanë ecuri shumë negative të rezultateve, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim vitet e fundit.

Në pesë ndeshjet e fundit në Superligë, fierakët kanë dy fitore, një barazim dhe dy humbje. Për verilindorët janë katër humbje dhe një barazim.

Ndeshja e fundit, e luajtur në fazën e parë, ka përfunduar me fitore minimale për kuksianët, 1-0.

Apolonia në shtatë ndeshjet si ekip pritës ka tre fitore, një barazim dhe një humbje. Kukësi si ekip udhëtues ka arritur të ketë dy fitore, një barazim dhe katër humbje./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore