Gatimi

Supë peshku me perime


Dëshironi të mësoni se si përgatitet një supë  e shijshme peshku me perime? Ju tregojmë ne!

Përbërësit

500 gram peshk

1 kokërr qepë

2 thelpinj hudhër

1 patate e madhe

2 karota të vogla

1 copë rrënjë selinoje

100 mililitra verë të bardhë

2 kokrra domate

2 lugë vaj ulliri, 1 lugë gjalpë

Kripë, piper dhe 1 gjethe dafine

Majdanoz

1 limon

Supë peshku me perime.

Përgatitja

Fillimisht e lani mirë peshkun, e prisni në copa dhe e vendosni në tenxhere me 1.2 – 1.5 litra ujë, shtoni disa kokrra piper të zi, gjysmë lëng limoni, pak kripë dhe 100 mililitra verë të bardhë.

Lëni peshkun të ziejë derisa tuli të shkëputet nga halat.

Në një tenxhere e shkrini një lugë gjalpë, shtoni dy lugë vaj ulliri dhe kaurdisni qepën të prerë në copëza të imëta.

Më pas në tenxhere shtoni karotat dhe rrënjën e selinos të prerë në kubikë të vegjël, i kaurdisni për dy minuta dhe më pas shtoni hudhrat dhe domatet pa lëkurë, po ashtu të prera në kubikë të vegjël.

Kulloni lëngun e peshkut në sitë dhe e shtoni në tenxheren me perime. Shtoni edhe patatet të prera në kubikë shumë të vegjël dhe një gjethe dafine, pastaj e lini supën të ziejë për 15 minuta, derisa perimet të jenë zierë plotësisht.

Ndërkohë që pastroni tulin e peshkut nga halat dhe lëkura, copëtojeni tulin dhe në dy minutat e fundit e shtoni në supë.

Rregullojeni atë me kripë, piper të zi dhe majdanoz dhe sërvireni të ngrohtë.

Ju bëftë mirë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore