Lajme

Sulmohet me armë zjarri familja e Naser Pajazitajt, thotë avokati mbrojtës


Naser Pajazitaj

Ahmet Tahiri, avokat i Naser Pajazitajt, i cili ishte i dyshuar për vrasjen e kusherirës së tij, Donjeta Pajazitaj, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, njoftoi se të hënën në mbrëmje është sulmuar klienti i tij, pak ditë pasi është shpallur i pafajshëm dhe liruar nga burgu me vendim të Gjykatës Supreme.

“Mbrëmë familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri rreth orës 02:00 të mengjesit duke traumatizuar Naserin dhe familjen e tij. Lusim organet e drejtësisë, perkatësisht Policinë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë që sa më parë të zbulohet ky rast dhe personat që kanë kryer këtë vepër të marrin dënimin e merituar”.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur më 27 dhjetor të vitit 2015, shtatë javë pasi ishte shpallur e zhdukur dhe po kërkohej nga organet e rendit. Naser Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, në akuzën për vrasjen e Donjetës, ndërsa ishte dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër “armëmbajtje pa leje”.

Pas ankesave rasti kaloi në gjykim në shkallën e dytë. Gjykata e Apelit e kishte rikthyer rastin në rigjykim. Gjykata Themelore në Pejë, pas shqyrtimit të provave të reja, e dënoi Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm më 25 mars të vitit 2019.

Gjykata Supreme, më 2 dhjetor të vitit 2019, e hodhi poshtë të gjithë procesin gjyqësor, duke kërkuar që rasti të rikthehet në rigjykim, me arsyetimin se gjykatat e mëparshme kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja, Valdete Daka, ka konstatuar se në këtë rast nuk ka prova të drejtpërdrejta të cilat e ngarkojnë të dënuarin, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, duke shtuar se rrethanat subjektive në këtë rast janë kontestuese.

“Është pikërisht ky aspekt, që bëri dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër”, shkruante në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Naser Pajazitaj u lirua por, kush e vrau Donjeta Pajazitajn?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore