Kosova

Milanoviç: Jam kundërshtar i sanksioneve, Kosovës ia vendosi Borrell-i


Zoran Milanoviç

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, në një konferencë për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për sanksionet e mundshme ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ka thënë se në parim “unë jam kundërshtar i sanksioneve”, teksa shtoi se sanksionet ndaj Kosovës i ka sjellë kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Sanksionet për Kosovën i ka sjellë Borrell, i cili së shpejti do të pensionohet, mendoj. Ai dhe ekipi i tij”, tha Milanoviç, duke shtuar se sanksionet ndaj Kosovës janë pasqyrë e “paaftësisë dhe marrëzisë që po bën kjo skuadër në rajon”.

“Nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por masa të ndërmarra nga Komisioni Evropian, nga Borrelli dhe ekipi i tij, të cilat ndalojnë dhe na kërcënojnë të gjithë ne të takohemi në disa nivele me përfaqësues të Kosovës në nivel të lartë”, shtoi.

Ata të cilët, theksoi ai, “nuk kanë dëgjuar për faktin që Komisioni Evropian ka masa ndaj Kosovës, i ftoj të gjithë që thyejnë këto masa, të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës”.

“Mendoj se mund të jeni të qetë përderisa KE është në anën tuaj”, tha Milanoviç, duke shtuar se ai nuk e di nëse Rusia kishte ndonjë lidhje me sulmin në Banjë.

“Unë nuk mendoj se ka të bëjë me të, por ky është vetëm mendimi im. Më shumë më habit Serbia, e cila duket se nuk është e vetëdijshme se ka humbur gjithçka që mundi në perspektivën e zhvillimit të një kombi”, thotë presidenti kroat, duke shtuar se një politikë më e shëndetshme, më racionale “do të ishte më e dobishme për Serbinë”.

“Ky është një problem që kërkon vëmendje serioze nga njerëzit seriozë”, pohoi.

Sulmi terrorist, Milanoviç: Serbia duhet të japë përgjigje për disa gjëra

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, në një konferencë për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, ka thënë se dikush qëndron pas tij, teksa bëri thirrje që Serbia të mbajë përgjegjësi.

“Pozicionet tona janë të qarta, Serbia duhet të japë përgjigje për disa gjëra që janë të dukshme dhe që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes as të një fëmije të vogël. Dikush duhet të japë përgjigje, nuk po i drejtoj gishtin askujt, por dikush qëndron pas”, tha Milanoviç.

“Nëse nuk ka pasoja, do të thotë se jemi në pritje të një ngjarjeje të tillë të radhës, me përmasa dhe përmasa më të mëdha. Dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, shtoi.

Ai foli edhe për pamjet e publikuara nga autoritetet e Kosovës, ku shihet grupi terrorist duke u stërvitur në bazën e ushtrisë serbe, ku theksoi se duhet aprovim për t’u futur aty.

“Për t’u futur aty brenda, duhet të kesh aprovimin e dikujt. Armët, trajnimet, xhirimet që kanë lënë, të gjitha këto gjëra kanë mbetur në dispozicion të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore