Lajme

Sulmi në Odesa: OKB-ja mohon komentin e “përfaqësuesit” të saj


Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ukrainë, Oleg Nikolenko deklaroi se komenti jozyrtar i “burimit” të “The New York Times” nuk pasqyron qëndrimin e OKB-së në lidhje me sulmin me raketa në portin e Odesa-s.

“Dje, New York Times publikoi një lajm provokues. Një burim gjoja i paidentifikuar në OKB pretendon se Federata Ruse teknikisht nuk ka shkelur marrëveshjen e grurit të nënshkruar në Stamboll me një sulm me raketa në portin e Odesa-s. Për shembull, Rusia nuk premtoi të mos qëllonte në ato pjesë të porteve të Ukrainës që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në eksportin e grurit. Për ta thënë më butë, ne u befasuam nga një pozicion i tillë”, shkroi Nikolenko në Facebook.

Sipas tij, një qëndrim i tillë është në kundërshtim me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, i cili dënoi pa kushte bombardimin e portit të Odesa-s.

Nikolenko theksoi gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare ishte unanime dhe vuri në dukje qartë shkeljen e detyrimeve të Rusisë.

Kjo, në kuadër të sigurimit të funksionimit të sigurt të infrastrukturës portuale për eksportin e grurit.

“Ne iu drejtuam menjëherë udhëheqjes së OKB-së për sqarim. Sot morëm garanci se komenti jozyrtar i një ‘burimit anonim’ për New York Times nuk pasqyron qëndrimin e OKB-së. Vetëm deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres pasqyron pozicionin e organizatës”, shtoi Nikolenko.

Ukraina mund të eksportonte 60 milionë tonë drithë nga tetë deri në nëntë muaj nëse portet e saj nuk do të bllokoheshin.

Por goditja e Rusisë në portin e Odesa-s tregoi se definitivisht nuk do të jetë aq e lehtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore