Lajme

Sulmi në Banjë ndryshoi planet e kompanive të huaja për të investuar në Kosovë, thotë Rizvanolli


Artane Rizvanolli

Kompani të huaja ndonëse kanë pasur në plan të investojnë në Kosovë, janë tërhequr nga iniciativat për shkak të pasigurisë së krijuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Kështu të paktën ka thënë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë prezantimit të disa kompanive që kanë dorëzuar ofertat e tyre për ndërtimin e parkut me energji solare në Kosovë.

Afati për aplikim për ndërtimin e parkut me energji solare ishte shtyrë tri herë radhazi.

Sipas Rizvanollit arsyet e shtyrjes kanë qenë nga më të ndryshmet, një prej të cilëve edhe sulmi në Banjë.

“Ne kemi pasur informata që disa kompani që kanë pasur plan të investojnë, janë tërhequr për shkak se është krijuar pasiguri, prandaj kemi dashur që të lëmë një afat shtesë në mënyrë që t’i sigurojmë që Kosova është një vend i sigurt për investime dhe mendoj që rezultati që e kemi sot dëshmon që kemi marrë vendimin e duhur me këtë rast”, ka potencuar ajo.

Ndër të tjera Rizvanolli ka shpjeguar procedurën e mëtejme që do të ndiqen për zgjedhjen e ofertuesit më të përshtatshëm për Ankandin e Parë Solar Foltovoltaik.

“Gjatë javëve në vijim komisioni vlerësues i përbërë nga anëtarët e Ministrisë së Ekonomisë, MINT, ZRRE si dhe KOSTT do të vlerësojë ofertat kundër kërkesave minimale financiare, profesionale, teknike, siç janë të përcaktuar në dosjen e ankandit”.

“Në fazën e dytë do të organizohet një ankand elektronik ose e-ankand, ku kompanitë ose koncersiumet e kualifikuara do të kenë mundësi të ulin çmimin e tyre fillestar duke garuar me njëra tjetrën dhe në fund ofertuesi që ka dorëzuar çmimin më të ulët në përmbyllje të e-ankandit të fazës së dytë do të shpallet fitues”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore