Lajme

Sulmi i Radojçiçit në Kosovë, Bechev: Vuçiçi ka lindur forca që nuk mund t’i frenojë më – Beogradi dhe Brukseli janë në telashe


Dimitar Bechev

Dimitar Bechev, ligjërues dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një op-ed të publikuar të enjten në partalin që merret me analiza të politikës së jashtme dhe të sigurisë “Carnegie Europe“, ka shkruar mbi tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Ai ka konsideruar se nëse vërtetohet që Millan Radojçiç, nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës (Lista Serbe), tashmë po vepron në mënyrë të pavarur, atëherë duket se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po e humb kontrollin mbi përfaqësuesin e tij të dikurshëm që ka lindur vetë nga kultivimi i nacionalizmit militant serb në Kosovë.

“Nacionalizmi militant që ka kultivuar Vuçiçi ka lindur forca që nuk mund t’i frenojë më. Ai mund të jetë duke u dorëzuar ndaj lojtarëve lokalë që më parë kërkuan patronazhin e tij. Nëse njerëz si Radojçiçi vendosin për disponimin e komunitetit serb në veri të Kosovës, ky është një problem për Vuçiçin”, ka shkruar Bechev në artikullin e tij të fundit.

Megjithatë, ai ndër të tjera ka shtuar se ky është një problem edhe për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, posaçërisht për Bashkimin Evropian (BE) dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

“Nëse Beogradi nuk po koordinohet me serbët lokalë, atëherë Brukseli është në telashe. Aktorët lokalë e gjysmë kriminalë nuk kanë asnjë shtysë për të pranuar asnjë plan zgjidhjeje të BE-së. Ata përfitojnë nga status quo-ja dhe ka të ngjarë të luftojnë deri në dhëmbë e thonj për ta mbajtur atë ashtu siç është. Vuçiçi rrezikon të bëhet i parëndësishëm”, ka shkruar Bechev.

Harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale është zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të territorit ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një rreshter dhe u plagosën lehtë dy të tjerë.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës për një numër veprash penale dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore