Lajme

Stradner paralajmëron “raund të dytë” të përshkallëzimit në Kosovë


Ilustrim

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi në një intervistë për gazetën boshnjake “Slobodna Bosna” të mërkurën se Rusia do të vazhdojë përpjekjet për ta destabilizuar rajonin dhe sfiduar NATO-n edhe përgjatë vitit 2024, posaçërisht në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Stradner, këshillitare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë (FDD), përmendi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndaj trupave të Forcës së NATO-s (KFOR), por edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë në shtator të të njëjtit vit.

“Ne e pamë vitin e kaluar kur 90 anëtarë të KFOR-it u plagosën në përleshjet në veri të Kosovës. Çfarë bëri NATO-ja? Asgjë. Disa muaj më vonë ndodhi Banja”, shtoi Stradner, duke paralajmëruar se një “raund i dytë” i përshkallëzimit mund të ndodhë këtë vit nga strukturat pro-ruse në Maqedoninë e Veriut që do t’i ndërlikojë gjërat për Kosovën dhe NATO-n.

“Në vitin 2023 ka qenë raundi i parë i përshkallëzimit, tani mund të presim raundin e dytë. Vitin e kaluar, mediat ruse zhvilluan një fushatë të fortë dezinformimi përpara sulmit në Banjë se Perëndimi do të hapte një front të dytë. Ata gjithmonë e bëjnë këtë përpara se situata të përshkallëzohet. Narrativa që vjen nga Moska është pothuajse identike me atë të vitit 2023″.

Shumë vëzhgues deklarojnë se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa krijohen kushte të favorshme për lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse që të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte rajonale nën mbështetjen e heshtur të Rusisë, rreziku i përshkallëzimit të dhunës tani rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore