Lajme

Stoltenberg viziton Turqinë të enjten për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi të mërkurën se do të udhëtojë në Turqi të enjten për të demonstruar mbështetjen e Aleancës pas tërmetit shkatërrues dhe për të kërkuar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës për organizatën e Atlantikut.

“Unë do të shkoj në Turqi nesër për të sjellë solidaritetin e Aleancës gjatë bisedimeve të mia me Presidentin Erdogan”, shpjegoi ai gjatë një konference për shtyp në Bruksel pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të aleancës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Jens Stoltenberg saktësoi se do të trajtojë edhe çështjen e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

“Unë do t’u kërkoj atyre të ratifikojnë dy protokollet e pranimit në të njëjtën kohë (…) Por i takon Turqisë të vendosë nëse dëshiron të ratifikojë dy protokollet apo një nga të dy”, shpjegoi ai.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sugjeroi në fillim të shkurtit për herë të parë që Parlamenti turk mund të ratifikojë anëtarësimin e Finlandës pa atë, të paraqitur bashkërisht, të Suedisë, të bllokuar fort nga Ankaraja.

Tridhjetë vende kanë nënshkruar protokollet e anëtarësimit dhe 28 i kanë ratifikuar ato.

Vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë ratifikuar ende marrëveshjen e tyre.

“Çështja kryesore nuk është nëse pranimet e Finlandës dhe Suedisë ratifikohen së bashku, por që të dyja të ratifikohen sa më shpejt”, deklaroi të martën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. “Gjëja më e rëndësishme është që Finlanda dhe Suedia së shpejti të bëhen anëtarë të aleancës dhe unë do të bëj presion për këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore