Kosova

“Ditë lufte për mbijetesë dhe ruajtjen e Kosovës”, alarmon ministri serb


Nebojsha Stefanoviç

“Serbia po përballet me ditë të vështira, të tilla që nuk i kemi pasur në njëzet vitet e fundit, ditë lufte për mbijetesë dhe ruajtjen e Kosovës”.

Kështu ka deklaruar Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, gjatë një falimi në shënim të Ditës së Shkollës së Mbrojtjes Kombëtare “Vojvoda Radomir Putnik”.

“Ditët në vazhdim përfshijnë mbrojtjen, gjegjësisht ruajtjen e gjithçkaje që kemi arritur, ato kërkojnë mençuri, guxim dhe energji të madhe për t’u përballur me të gjitha krizat dhe sfidat”, ka deklaruar Stefanoviç, transmeton mediumi serb “N1”.

Po ashtu, ai theksoi se është i kënaqur që në këto “kohë të vështira, Serbia ka një ushtri të fortë, të pajisur në mënyrë moderne, të armatosur dhe mbi të gjitha të stërvitur mirë” duke shtuar se “Serbia duhet të luftojë për interesat e veta, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për Serbinë”.

Serbia ishte kritikur kur filloi të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të investojë në ushtri, por siç thotë ministri serb “tani shumë vende po ndjekin të njëjtën rrugë si Serbia”.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë tërë kohës përsëritë se zhvillimet gjeopolitike kohëve të fundit e kanë vendosur në një pozicion të vështirë Serbinë dhe sipas tij, presioni vetëm po shkon duke u rritur.

Ndryshe, një grup i përbërë nga disa parti opozitare në Serbi, të nxitura edhe nga intelektualë nacionalistë serbë, kanë publikuar një deklaratë ku bëjnë thirrje për “riintegrimin e plotë të Kosovës në Serbi si zgjidhja e vetme e pranueshme për popullin serb”.

Deklarata u lexua në një konferencë për media nga anëtari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave, Matija Beçkoviç.

Dokumenti i titulluar “Deklarata për Tubimin në Mbrojtjen e Kosovës” është nënshkruar nga Partia Popullore, Lëvizja “Dveri”, “Zavetnici”, koalicioni NADA dhe një grup profesorësh dhe anëtarësh të akademisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore