Lajme

Statusi i të dhunuarve gjatë luftës u njihet mbi një mijë grave dhe 70 burrave


Ilustrim.

Mbi 1 mijë e 881 aplikacione janë pranuar nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, kurse 58 janë në shqyrtim.

Në mesin e tyre 1 mijë e 402 janë gra dhe 71 burra.

Kryetarja e komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore për persona të pagjetur, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe peticione, Leonora Selmani, gjatë raportimit në komision deklaroi se mandati i tyre është zgjatur edhe për tri vjet.

“Deri sot 1 mijë e 939 aplikacione, janë pranuar 1 mijë e 881 dhe 58 janë në shqyrtim. Në vitin 2023 janë 68 aplikime, pra vetëm 3 muajt e parë. Të aprovuara deri më tani janë afër 1473 raste. 3 panele intervistuese po bëhen brenda një muaji. Shumë raste vendosen edhe pa qenë prezentë në intervistë, në bazë të dokumenteve”.

Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore për persona të pagjetur, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe peticione

Sipas Selmanit, për të marrë këtë status duhet vetëm që të bazohen në tregime të personave për atë se çfarë kanë përjetuar.

“Këtu është keqkuptuar sepse është menduar se duhet të ketë shumë dokumente, dhe kjo nuk është e vërtetë ajo çka na duhet neve është vetëm tregimi, vetëm storia. Në qoftë se e kemi refuzuar herën e parë, ajo mund të ketë diçka më shumë kur të vijë herën e dytë. Përveç anëtarëve që e hapin dosjen, askush tjetër nuk e hap. Nuk ka emër dosja, vetëm kod, në mënyrë që t’i ruhet konfidencialiteti”.

Edhe në dhjetor të vitit 2021, statusi i të dhunuarve gjatë luftës në Kosovë u ishte njohur mbi një mijë personave.

Sipas statistikave të publikuara në Kosovë, janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, zyrtarisht punën e ka filluar në shkurt të vitit 2018.

Në korrik të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shqiptuar dënimin e parë për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiç, është dënuar me dhjetë vjet burgim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore