Lajme

Statusi i të dhunuarve gjatë luftës u njihet mbi një mijë personave


Ilustrim

Statusi i të dhunuarve gjatë luftës në Kosovë u është njohur mbi një mijë personave.

Nga gjithsejtë një mijë e 586 aplikime, një mijë e 40 prej tyre u është njohur statusi nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kështu ka thënë kryetarja e këtij komisioni, Minire Begaj, e cila ka theksuar se secilit rast po i jepet koha e nevojshme në mënyrë që procesi të jetë i drejtë dhe korrekt.

“Prej muajit shkurt 2018, kur edhe kemi filluar zyrtarisht në nivel vendi, kemi pranuar një mijë e 586 aplikime. Prej tyre të shqyrtuara dhe që ua kemi njohur statusin janë një mijë e 40 personave. Ka edhe një numër të konsiderueshme të aplikimeve të cilat pritet të shqyrtohen pasi të sjellin dokumente shtesë”, tha ajo.

Minire Begaj – Kryetare e komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Puna jonë e komisionit, përkundër që është proces i ndjeshëm, po ia jep secilit rast kohën e duhur, për arsye se nuk janë raste të lehta ku secili rast është histori në vete. Për këtë arsye komisioni në fazë të kompetencave dhe përgjegjësive po i përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet në fuqi për të siguruar një proces të drejtë”, është shprehur ajo për RTK.

Me legjislacionin në fuqi procesi i aplikimit është i hapur deri në muajin shkurt të vitit 2023.

Ndërkaq, sipas statistikave të publikuara në Kosovë, janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Kompensimi i personave që kanë fituar statusin e të dhunuarve gjatë luftës është 230 euro në muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore