Lajme

‘Spiuni’ rus dhe SHBA-të, a do të vendosë Meloni për ekstradimin e tij


Kur ndodh që Kremlin-i zyrtar të ndërhyjë drejtpërdrejt për një menaxher rus të arrestuar në Itali, mundësitë kanë qenë gjithmonë dy: ose ky të jetë spiun, ose oligark në shërbim efektiv për regjimin e Moskës. Ose të dyja.

Bëhet fjalë për sipërmarrësin rus, Artem Uss, i cilia u arrestua gjatë javës së kaluar në aeroportin e Malpensa-s.

Kjo, pas një urdhri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ai do të nisej për një udhëtim jashtë vendit.

Ai u arresta nën akuzën e blerjes së paligjshme të teknologjive ushtarake, shkeljes së sanksioneve ndaj Rusisë, rishitjes së paligjshme të naftës në tregun e zi dhe pastrimit të miliona dollarëve.

Fakti është se për të ka lëvizur vetë Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlin-it.

“Misionet diplomatike ruse do të bëjnë çmos për të mbrojtur interesat e Uss, të ndaluar në Itali”.

Pse kaq zell nga Moska?

Ajo çka ka komplikuar situatën është fakti që Uss-i është gjithashtu djali i guvernatorit të rajonit Krasnoyarsk Krai, Alexandr Uss.

Ky i fundit, u emërua në vitin 2017, gjatë një seance në të cilën Putin, forcoi kontrollin e tij mbi territoret e gjera të kombit.

Asokohe, presidenti rus rinovoi mandatin e të gjithë guvernatorëve, përveç atij të këtij rajoni siberian, vendimtar për sa i përket burimeve dhe pranisë së pjesëmarrjeve shtetërore, pra de facto zemra e kompanive të Kremlin-it.

Pse u mbështet tek Uss-i i vjetër?

Sipas Natalya Zubarevich në një letër të shkruar për ‘Carnegie’, “Kremlini kishte vendosur dukshëm të mos rrezikonte të emëronte një teknokrat të ri në Krasnoyarsk, sepse shumë kompani të mëdha ruse kanë aktivitete atje”.

Në vend të kësaj, ajo mbështeti një lider me lidhje me elitën lokale, të aftë për të bashkëpunuar dhe për të arritur marrëveshje me grupe të ndryshme interesi.

Që prej asaj kohe, inteligjenca perëndimore e ka konsideruar familjen Uss se i përket plotësisht asaj “teknokracie” të lidhur me silovikët, njerëzit e aparateve ruse të sigurisë.

Dhe këtu vijmë te natyra dhe rëndësia strategjike e trafikimit për të cilin akuzohet i biri. Babai pretendon në kanalin e tij Telegram se këto janë “akuza politike”.

I riu Uss, 40 vjeçari Artem, trafikonte ilegalisht – sipas aktakuzës së Ministrisë Amerikane të Drejtësisë – gjysmëpërçues, radarë dhe satelitë.

Disa nga këta komponentë elektronikë të marrë përmes një skeme kriminale ndërkombëtare u gjetën në platformat e armëve ruse të sekuestruara në Ukrainë.

Këto janë teknologjitë amerikane që mund të përdoren në avionë luftarakë, sisteme raketore balistike dhe hipersonike, municione inteligjente dhe aplikacione të tjera ushtarake.

Rusia, siç e dimë, po përballet me kufizime të rënda në të gjitha këto furnizime teknologjike, për shkak të sanksioneve. Dhe po përpiqet t’i anashkalojë.

Për Shtetet e Bashkuara, Uss dhe partneri i saj kryesor, Yury Orekhov (i arrestuar në Gjermani), përdorën një kompani gjermane për të transportuar teknologji ushtarake.

Nëpërmjet kësaj kompanie “Nord-Deutsche Industrieanlagenbau GmbH”, e njohur ndryshe si NDA, dhe “Opus Energy Trading LLC” – merreshin edhe me blerjen e paligjshme të naftës venezueliane, për t’ua rishitur në tregun e zi kompanive ruse dhe kineze.

Orekhov dhe Uss “në mënyrë të përsëritur” – thonë SHBA-të – kanë blerë naftë nga PDVSA venezueliane dhe e kanë furnizuar atë një kompanie alumini të listuar në Rusi, e kontrolluar nga një miliarder dhe industrialist rus.

Aktakuza nuk përmend emrin e kompanisë ruse, por thotë se ajo i është nënshtruar sanksioneve amerikane që nga 6 prilli i vitit 2018 – dhe kjo përkon me datën kur është sanksionuar kompania ruse e aluminit Rusal e Oleg Deripaska, një nga oligarkët më të fuqishëm dhe më afër Putin-it dhe shërbimeve ruse, tashmë të akuzuar në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë Rusal e mohoi blerjen e naftës.

Uss kontrollonte edhe një rrjet të dyshuar të pastrimit të parave që “duke përdorur kompani fallco jepte informacion të rremë për bankat amerikane dhe të cilat përpunonin dhjetëra miliona dollarë në transaksione duke shkuar kështu kundër sanksioneve”.

Uss i bënte të gjitha këto nga Italia, shpesh duke udhëtuar për në Stamboll.

Kurse bashkëpunëtor i tij vepronte nga nga Gjermania.

Ambasada ruse në Romë tani po proteston.

Avokati i Uss kundërshton kërkesën për ekstradim në SHBA.

Çështja do të jetë një nga kontrollet e para vendimtare ndërkombëtare për qeverinë Meloni.

A do t’i dorëzohet Uss, Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo, siç bëri qeveria e Giuseppe Conte në një rast të ngjashëm, do të kthehet në Moskë?

Marrë nga La Stampa, autor Jacopo Iacoboni dhe përshtatur për Albanian Post

Malpensa/ Arrestohet Artiom Uss me urdhër të SHBA-ve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore