Lajme

Malpensa/ Arrestohet Artem Uss me urdhër të SHBA-ve


Sipërmarrësi rus, Artem Uss, u arrestua këtë javë në aeroportin e Malpensas, pas një urdhri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ai do të nisej për një udhëtim jashtë vendit.

Ai është djali i guvernatorit të Krasnoyarsk, Alexander Uss, dhe akuzohet se së bashku me katër shtetas të tjerë rusë kanë shmangur sanksionet dhe kanë pastruar paratë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook nga ambasada e Federatës Ruse në Itali.

“Furnizimi me derivate të naftës, pajisje publike dhe mjete teknike, të shitura dhe të blera lirisht në të gjithë botën, papritmas shpallet i paligjshëm nga autoritetet amerikane. Si ka ardhur? Vetëm sepse është bërë për hir të Rusisë. Konotacioni politik i këtyre akuzave është i qartë”, shkroi Guvernatori Alexander Uss në kanalin, Telegram.

Artem Uss u arrestua, kur efektivët kryen një kontroll rutinë të pasagjerëve që niseshin me një fluturim direkt për në Azi.

Gjatë kontrollit të pasaportës, u konstatua se ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar për qëllime “ekstradimi”, pra me kërkesë të autoriteteve amerikane që e kërkonin për krime financiare të kryera në SHBA.

Tanimë, ai ndodhet në burg në Busto Arsizio në dispozicion të autoritetit gjyqësor të Milanos, kompetent për këtë çështje.

Gjykata e Apelit të Milanos ka vleftësuar arrestin dhe është caktuar seanca dëgjimore e Uss-it, në të cilën në thelb do të pyetet nëse mendon të japë pëlqimin ose jo për ekstradim.

Nëse jo, do të duhen disa javë që procedura e ekstradimit të përfundojë.

Ndërkohë, mbrojtja do të mund të kërkojë një masë më pak të lehtë se burgu, siç është arresti shtëpiak.

Artiom Uss akuzohet, së bashku me katër rusë të tjerë dhe dy agjentë venezuelianë të naftës, se kanë blerë komponentë elektronikë nga Shtetet e Bashkuara që synojnë pajisjen e avionëve, radarëve ose raketave dhe se i kanë rishitur ato kompanive ruse, duke iu shmangur sanksioneve në fuqi.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore