Lajme

Spanjë/ Kryepeshkopi kërkon falje për pjesët e xhiruara të një videoje në katedrale


Në Toledo të Spanjës, kryepeshkopi u ka kërkuar falje katolikëve të ofenduar pasi një nga katedralet më të famshme u përdor për një video të dy këngëtarëve.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se videoja “Ateo” (ateist) paraqet reperin spanjoll, C Tangana dhe këngëtaren argjentinase, Nathy Peluso, duke vallëzuar në katedralen e shekullit të Xlll-të.

Në këtë pjesë të kritikuar të videos, dy protagonistët janë duke kërcyer me vrull për magjepsjen e shumë shikuesve, mes tyre edhe një prift.

Ndërkohë, në një tjetër pjesë, tërheqja e flokëve të Pelusos nga reperi është jehonë e një prej pikturave brenda katedrales, e cila tregon një demon që tërheq flokët e një gruaje për ta ndaluar atë të arrijë shpëtimin.

Piktura, nga ana tjetër, përdoret edhe si vepër arti e këngës.

Mirëpo, brenda disa orësh pasi videoja u publikua, autoriteteve të katedrales iu kërkua të shpjegonin saktësisht se si një video për një këngë me një titull të atillë ishte filmuar në katedralen gotike.

Fill pas kësaj, kryepeshkopata e Toledos ka pohuar përmes një deklarate se kryepeshkopi “ishte penduar thellë për atë që kishte ndodhur” dhe nuk kishte ditur asgjë për projektin, përmbajtjen e tij ose rezultatin përfundimtar.

“Ne kërkojmë me përulësi dhe sinqeritet falje ndaj të gjithë besimtarëve, qofshin laikë apo priftërinj, të cilët me të drejtë janë ndjerë të lënduar nga ky përdorim i papërshtatshëm i një vendi të shenjtë”, bëhej me dije në deklaratë.

Në të shtohej gjithashtu se kryepeshkopata do të rishikonte procedurat e saj për të “siguruar që asgjë e ngjashme të mos ndodhë sërish”.

“The Guardian” shkruan se kjo erdhi pasi kryetari i katedrales kishte pranuar reagimin që kishte shkaktuar videoja, por këmbënguli që ajo dhe kënga paraqisnin “historinë e një konvertimi përmes dashurisë njerëzore”.

Juan Miguel Ferrer Grenesche citoi korin e këngës, i cili thotë se “unë isha një ateist, por tani besoj, sepse një mrekulli si ju duhet të ketë zbritur nga parajsa”.

Megjithatë, kryetari ka pranuar se videoja përdorte “një gjuhë vizuale provokuese”, por që nuk fyente besimin e askujt dhe madje mund të ndihmonte në kthimin e atyre që ishin larguar nga kisha.

“Na vjen keq që disa njerëz mund të jenë mërzitur. Ne kërkojmë falje për lëndimin e ndjenjave të tyre. Qëllimi ishte vetëm të mbështesim një dialog me kulturën bashkëkohore duke respektuar gjithmonë besimin e kishës”, ka sqaruar ai.

Kryetari ka shtuar gjithashtu se Dekani skenat përfundimtare të videos flasin më shumë për qëndrimin “mirëpritës dhe mirëkuptues” të kishës.

C Tangana, në muajin gusht, u akuzua për seksizëm pasi postoi një fotografi të tij të rrethuar nga vajza me bikini për të promovuar këngën e tij, Yate.

Përgjigjja e tij për këto akuza ishte postimi i së njëjtës fotografi, por kësaj here duke mbivendosur kokën e tij mbi ato të vajzave.

Reperi e zëvendësoi kokën e tij me atë të këngëtares Zahara, e cila kohët e fundit ka pasur kritika nga partia e ekstremit të djathtë, Vox, për veshjen si Virgjëresha Mari në postera për një koncert në Toledo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore