Shqipëria

SPAK nis verifikimin për përdorimin e të dhënave personale


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ka nisur hetimin për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, për qëllime fushate. Të dhënat janë marrë nga portali shtetëror e-Albania.

Lajmi u bë i ditur nga vetë drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja. Ai, gjithashtu shtoi se vjedhja e të dhënave personale nuk është kompetencë e SPAK. Por, duke konsideruar që jemi në prag zgjedhjesh, problemi merr rëndësi tjetër.

“Nisur nga rëndësia e problemit dhe faza e zgjedhjeve ku ndodhemi e kemi vlerësuar të bëjmë verifikimet”.

Një ditë më parë ish-deputeti i Partisë Demokratike (PD), Enkelejd Alibeaj, akuzoi të dielën Partinë Socialiste (PS) për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve nga portali e-Albania. Alibeaj shton se në selinë e PS ka kompjuterë dhe serverë që përgjojnë dhe përdorin të dhënat e qytetarëve.

“Në mënyrë të paprecedentë, në Selinë e PS janë vendosur kompjuterë dhe serverë që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania”.

Sipas ish-deputetit, përdorimi i të dhënave personale nga kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Gjithashtu ai ka njoftuar se  PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK.

“Përdorimi i databazës së e-Albania nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Për këtë PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK”.

Në database ishin të dhënat e 910 mijë qytetarëve, të cilat tregonin numrin e tyre të kartës së identitetit dhe numrin e telefonit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore