Shqipëria

SPAK kundërshton GJKKO-në: Vendimi për Mediun do të ankimohet


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK), në përfundim të seancës të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila nuk hapi gjykim kundrejt ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka vendosur që ta ankimojë vendimin e saj me pretendimin që është i pabazuar në ligj.

Kujtojmë që vendimi i GJKKO-së do t’i kalojë për shqyrtim edhe Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Në vendimin e publikuar, të martën e 27 korrikut, nga Gjykata e Posaçme lidhur me kërkesën e SPAK, theksohet se “ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk do të gjykohet”.

GJKKO-ja cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

Në vendim thuhet gjithashtu se “Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Më 6 maj, familja e një 7-vjeçari, i cili humbi jetën në shpërthimin e Gërdecit ka depozituar në SPAK – 13 vjet pas tragjedisë – kërkesën për ndjekjen penale të Fatmir Mediut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore