Shqipëria

Dosja Gërdeci/ Mediu në GJKKO


E marta e 27 korrikut do të shohë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), seancën ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mbi çështjen “Gërdeci”.

Nga seanca pritet të vendoset nëse gjykata do të pranojë ose jo kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për rigjykimin e ish-ministrit.

Ishte Gjykata e Lartë, ajo që i kaloi çështjen GJKKO-së, duke shpallur mos-kompetencën për gjykim.

Më 6 maj, familja e një 7-vjeçari, i cili humbi jetën në shpërthimin e Gërdecit, ka depozituar në SPAK – 13 vjet pas tragjedisë – kërkesën për ndjekjen penale të Fatmir Mediut.

SPAK-u, pas analizimit mbi pretendimet, si dhe shqyrtimit të dokumentacionit, ka vendosur se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut. Kjo e fundit, e pushuar në vitin 2009.

Gërdeci

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, pranë Tiranës, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 të tjerëve, plagosja e lehtë e 109 syresh, si edhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të mbi 120 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme, regjistroi procedimin penal në 2008-ën dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë.

Në këtë hetim, Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shkaku për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Mediut, ka qenë për shkak të imunitetit parlamentar.

Prokuroria e Posaçme tashmë, ka vlerësuar se ndjekja penale për çështjen ndaj Fatmir Mediut, nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë. Kjo, pasi pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes. Ndërsa tani, ajo nuk ekziston.

Çështja “Gërdeci” ka qenë ndër më të përfolurat në opinionin publik në mijëvjeçarin e ri në Shqipëri. Përtej Mediut, implikime direkte mbi këtë çështje kanë shkuar edhe për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Ky i fundit, pikërisht për këto çështje dhe për korrupsion, është shpallur “non grata” në SHBA.

Ndërsa, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës që prej viteve 1990, Fatmir Mediu, duhet të vihet – sërish – në bankën e të akuzuarit.

Por, këtë herë, nën lupën e SPAK-ut!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore