Shqipëria

Soreca pas vizitës së von der Leyen: E ardhmja e Shqipërisë brenda BE-së


“Falënderoj Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për vizitën historike në Tiranë sot”.

Kështu është shprehur ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, të martën e 28 shtatorit, për vizitën e von der Leyen.

Ai vijoi më tej duke vendosur theksin te mesazhi që Presidentja e KE-së dha.

“Ju dhatë një mesazh të fuqishëm: E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Ju personalisht dhe KE-ja qëndroni fort pranë këtij angazhimi”.

Në përfundim Soreca tha së tashmë, “Shqipëria është dorëzuar. Tani edhe Evropa duhet të bëjë”.

Vizita e Presidentes së KE-së në Shqipëri

Mëngjesin e së martës von der Leyen vizitoi Shqipërinë. Në fjalimin e saj ajo thekesoi faktin se, ‘hapja e negociatave të BE-së me Shqipërinë, është një borxh që unioni ka ndaj të ardhmes së Shqipërisë dhe të rinjve shqiptarë”.

Më tej ajo tha se “bisedimet dhe konferenca ndërqeveritare do të bëhen realitet për Shqipërinë para përfundimit të vitit”.

Ndërkohë ajo mori pjesë në inaugurimin e shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”, Qerekë, e cila është ndërtuar me fondet e BE-së në kuadër të programit “EU4Schools” pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të vitit 2019.

Sipas Presidentes, nuk është vetëm projekti i shkollave që është në vëmendjen e BE-së, por rimëkëmbja – referuar dy proceseve, atij të vaksinimit dhe rindërtimit.

Në vijim, von der Leyen uroi Tiranën për përzgjedhjen e kryeqytetit rinor për vitin 2022.

Presidentja e KE-së ka përshëndetur, ndër të tjera, edhe përfshirjen e Shqipërisë në platformën e certifikatave të vaksinave të BE-së.

Ajo shtoi se mjafton vetëm kodi që “të identifikoheni se jeni plotësisht të vaksinuar”.

Sipas von der Leyen, BE-ja ka investuar në mënyrë të konsiderueshme për rimëkëmbjen e Shqipërisë – 33.3 miliardë për të mbështetur pasojat e pandemisë.

Presidentja e KE-së u angazhua për një investim prej 500 milionë eurosh për këtë vit.

Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar von der Leyen si “avokate e integrimit në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore