Lajme

Sondazhi: Vetëm 8% e serbëve janë për njohjen e pavarësisë së Kosovës


Ilustrim

38 për qind e serbëve nuk kanë përgjigje në pyetjen e parashtruar nga Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi, se cila do të ishte zgjidhja ideale për Kosovën.

Ndërsa po e njëjta përqindje e serbëve nuk e dinë se cili mund të jetë rezultati aktual i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sondazhi i fundit i kryer nga Qendra në fjalë ka konkluduar gjithashtu se një e treta e qytetarëve, pra rreth 34 për qind e serbëve besojnë se do të ishte ideale që Kosova të mbetej brenda Serbisë, me një shkallë më të madhe apo më të vogël të autonomisë.

Ndërsa çdo i pesti person, pra rreth 8 për qind e serbëve, besojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se 35 për qind e qytetarëve e shohin njohjen e Kosovës, ndarjen e territorit, pranimin e planit franko-gjerman si zgjidhje jo domosdoshmërisht ideale, por realiste, ndërsa 14 për qind e qytetarëve besojnë se Kosova si një pjesë e Serbisë është një zgjidhje realiste.

Pothuajse një e treta e qytetarëve thonë hapur se nuk e dinë se çfarë përfshin plani franko-gjerman dhe vetëm shtatë për qind e tyre besojnë se është një hap drejt marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kur qytetarëve u shpjegohet përmbajtja e propozimit, shumica nuk e konsideron të pranueshme, kështu që sondazhi thekson se vetëm 26 për qind e qytetarëve do ta pranonin planin dhe 20 për qind e tyre thonë se do ta pranonin pavarësinë e Kosovës në këmbim të sigurisë së një pozite më të mirë për serbët.

Sondazhi konstaton gjithashtu se serbët janë të shqetësuar për drejtimin strategjik të Serbisë, kështu që 44 për qind e të anketuarve besojnë se Serbia duhet të kthehet më shumë drejt Perëndimit, dhe 43 për qind janë në favor të lidhjeve më të forta me Rusinë.

Pra 44 për qind e qytetarëve do të votonin për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe 42 për qind do të votonin kundër.

Rusia, sipas sondazhit, perceptohet si partneri më i rëndësishëm politik dhe i sigurisë, ndërsa Bashkimi Evropian perceptohet si partneri më i rëndësishëm ekonomik.

Sondazhi është realizuar përmes telefonit me 1 mijë e 11 qytetarë nga Serbia, në periudhën nga 25 shkurti deri më 3 mars 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore