Lajme

Sondazhi i IRI: 44 përqind e qytetarëve thonë se Qeveria Kurti s’e ka arritur asnjë sukses


Qeveria e Kosoves

Një sondazh mbarëkombëtar në Kosovë nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), tregon se 44 përqind e qytetarëve mendojnë se Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit s’e ka bërë asnjë arritje për më shumë se dy vjet qeverisje.

Në pyetjen se “Cila është arritja më e rëndësishme e qeverisë aktuale?”, 44 përqind e qytetarëve kanë konsideruar se qeveria përgjatë këtyre viteve nuk ka arritur asgjë, kurse 25 përqind e tyre janë deklaruar se nuk kanë njohuri apo kanë refuzuar të përgjigjen.

Luftimi i korrupsionit është vlerësuar nga 17 përqind e qytetarëve të anketuar si arritje e qeverisë aktuale, kurse 5 përqind kanë konsideruar se rezultatet e dialogut me Serbinë janë ndër të arrituarat kryesore të kësaj qeverie përgjatë mandatit qeverisës.

Sondazhi

Rreth 4 përqind e qytetarëve, sipas sondazhit, si të arriturën më të rëndësishme të ekzekutivit kosovar e kanë konsideruar asistencën financiare, ndërsa 3 përqind kanë vlerësuar se rritja e pagave është një sukes i qeverisë, përkundër 2 përqind të qytetarëve që vlerësuan se sukses është luftimi i krimit.

Në pyetjen se “Cili është dështimi më i madh i qeverisë aktuale?”, 12 përqind e qytetarëve kanë konsideruar se inflacioni është një nga çështjet rreth së cilë ka dështuar qeveria, përkundër 23 përqind prej tyre që mendojnë se Qeverisë Kurti 2 s’i faturohet asnjë dështim.

Në sytë e 6 përqind të qytetarëve, niveli i papunësisë shihet si dështim i madh i qeverisë, për t’u pasuar me 5 përqind e atyre që premtimet elektorale dhe mungesën e investimeve kapitale e shohin si probleme të cilat qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje s’ka arritur t’i tejkalojë.

Sektori i shëndetësisi, migrimi dhe dialogu Kosovë-Serbi janë ndër çështjet në të cilat ka dështuar ekzekutivi, sipas 3 përqind të pjesëmarrësve në këtë sondazh, ndërkaq 35 përqind e qytetarëve janë deklaruar se nuk janë në dijeni apo kanë refuzuar të japin përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore