Lajme

Sondazhi i “BiEPAG”: Mbi 90% e shqiptarëve duan anëtarësim në BE, përkundër serbëve me vetëm 53%


Sondazhi i "BiEPAG"

Anëtarësimin në Bashkimin Evropian e mbështesin shumica dërrmuese e qytetarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç serbëve, ku 43% e tyre përgjigjen negativisht për hyrje në BE.

Në një sondazh të realizuar nga Grupi Ballkanik Këshillimor i Politkave Publike në Evropë (BiEPAG), me pyetjen “A jeni për anëtarësim të vendit tuaj në BE”, qytetarët e Shqipërisë arrijnë përqindjen më të lartë me 94% përgjigje pozitive.

Në Kosovë, sipas këtij sondazhi, 90% e qytetarëve duan të anëtarësohen në BE.

Qytetarët e Malit të Zi dhe të Bosnjës e Hercegovinës përgjigjen në 83% afirmativisht, ndërkaq maqedonasit me 79%.

Qytetarët e rajonit besojnë se anëtarësimi i plotë është alternativa më e mirë për vendin e tyre dhe vetëm të anketuarit në Serbi i kanë dhënë përparësi integrimit ekonomik pa anëtarësimin në BE.

Përderisa qytetarët e Shqipërisë, BeH-së, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut besojnë se qeveritë kombëtare janë më përgjegjëse për përparimin e ngadaltë në procesin e integrimit evropian, banorët e Serbisë dhe Kosovës fajësojnë institucionet e BE-së për këtë, përcjell “Danas”

Serbët janë më pesimistë për datën kur vendi i tyre mund të bëhet anëtar i BE-së.

Një e katërta e të anketuarve besojnë se kjo do të ndodhë në 10 vitet e ardhshme, 16 për qind në pesë vitet e ardhshme dhe rreth 44 për qind mendojnë se nuk do të ndodhë kurrë.

Në të kundërt, vetëm 7 për qind e të anketuarve në Kosovë nuk besojnë se do të anëtarësohen në BE, dhe 45 për qind besojnë se do të bëhen anëtarë në pesë vitet e ardhshme.

Përqindja më e madhe e qytetarëve në Shqipëri (33 për qind) dhe Mal të Zi (46 për qind) gjithashtu besojnë se do t’i bashkohen Unionit në një maksimum prej pesë vjetësh.

Ndihma më e madhe financiare është një nga mënyrat kryesore në të cilën, sipas të anketuarve, BE-ja mund të ndihmojë vendet në rajon të bëjnë përparim në rrugën e anëtarësimit.

Qytetarët, Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë besojnë se BE-ja në radhë të parë duhet të lehtësojë kushtet për anëtarësim në Union.

Sipas pjesëmarrësve në hulumtim, anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor më së shumti mbështetet nga Gjermania.

Vetëm të anketuarit në Serbi mendojnë se Hungaria jep mbështetjen më të madhe.

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor e shohin lëvizjen e lirë të njerëzve si avantazhin më të madh të anëtarësimit në BE, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë, paqja dhe siguria janë të parat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore