Lajme

S’ka marrëveshje, Serbia nuk pranoi


Ilustrim

Delegacioni i Beogradit ka përfunduar bisedimet me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe përfundimisht nuk ka pranuar marrëveshjen me tri pika, të cilën delegacioni nga Kosova arriti pajtim në parim.

Sipas mediumit serb N1, ekipi serb është largua nga ndërtesa e Punëve të Jashtme të BE-së, pa u deklaruar për shtyp.

Jo zyrtarisht, N1 ka zbuluar se, marrëveshja përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e krizës në Veri të Kosovës nuk është arritur as gjatë orëve të vona të së mërkurës. Thuhet se bisedimet do të vazhdojnë, por ende nuk dihet se kur.

Mirëpo burime të Bashkimit Evropian i kanë thënë gazetarit të REL-it në Bruksel se negociatat pritet të vazhdojnë edhe nesër, më 30 shtator.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Kryenegociatori serb, Petar Petkoviç

Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimeve në Bruksel ka bërë të ditur se është punuar një draft final rreth arritjes së një marrëveshje në parim për situatën në Veri dhe sa i përket reciprocitetit të targave.

“Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë de-eskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final”, është shprehur ai.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Bislimi ka shpalosur se marrëveshja parasheh tri elemente.

Pika 1: “Të shtunën e dy tetorit, forcat e KFOR-it “do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës”.

Pika 2: “Në mëngjesin e katër tetorit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe”.

Po ashtu, Bislimi ka theksuar se e vetmja pikë ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me targat “KM”.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me targat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

SHBA: Palët të jenë fleksibile për gjetjen e një zgjidhje

Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Anthony Godfrey dhe i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe kanë reaguar rreth proceit të bisedimeve në Bruksel duke thënë se negociatat ende po vazhdojnë dhe se është bërë përparim, por se ende ka punë për tu bërë.

Godfrey ka bërë me dije se është në kontakt me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, i cili aktualisht është në Bruksel.

“Sot jam në kontakt të ngushtë me mikun tim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar, i cili është në Bruksel për të treguar mbështetje për dialogun e udhëhequr nga BE. Kjo punë nuk është e plotë, por është bërë përparim i mirë. Palët duhet të jenë fleksibile dhe të vazhdojmë të punojmë për të arritur këtë qëllim. Tani është koha”, ka shkruar Godfrey në Twitter.

Ndërsa Giacobbe, ka thënë se inkurajojnë palët që të angazhohen edhe më tej për një zgjidhje.

“Pavarësisht raportimeve në media, negociatat në Bruksel vazhdojnë. Është bërë përparim, mbetet ende punë. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërsa zëdhënësi për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë së Bashkimit Evropian, Peter Stano, gjithashtu ka deklaruar se takimi mes dy delegacioneve në Bruksel, nuk ka përfunduar ende.

“Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel nuk ka përfunduar, negociatat vazhdojnë për gjetjen e një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore