Lajme

S’ka kuorum, s’votohet rezoluta e PDK-së kundër rritjes së çmimit të rrymës


Kuvendi i Kosovës

Në mungesë të kuorumit nuk është votuar draft-rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të ditës së hënë kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike.

Në sallë ishin vetëm 45 deputetë, kështu që votimi është shtyrë për seancën e të mërkurës.

Në draft-rezolutë të PDK-së thuhet që Kuvendi e obligon Qeverinë të refuzojë propozimin aktual të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës dhe të kërkojë propozim alterantiva të reja që kanë për bazë mbrojtjen e konsumatorëve.

Tarifat e reja të shtyhen drejt muajve të verës, në mënyrë që konsumatorët të kenë hapësirë për të bërë zëvendësim të mënyrës se si ngrohin banesat. Çdo propozim eventual i rritjes së tarifave të shoqërohet me normë të reduktuar të TVSH-së në 0. Po ashtu i kërkohet Qeverisë që pa vonesa të procedohet me gazifikimin e Kosovës. Të hapen mundësitë që të investohet në energji solare.

PDK me tetë rekomandime, një ndër to mos shtrenjtimi i rrymës për qytetarët

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së si iniciues i debatit për shtrenjtimin e rrymës, deputeti Ferat Shala ka dhënë tetë rekomandime për Qeverinë se si të dilet nga kriza energjetike dhe për të mos e miratuar raportin e ZRrE-së për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Deputeti Shala ka thënë se të gjitha resurset e këtij vendi i ka në dorë kryeministri Kurti për t’u përballuar me krizën energjetike dhe për të ndaluar shtrenjtimin e rrymës.

“Të gjitha resurset i ke në dorë kryeministër”, i ëhtë drejtuar Shala, Kryeministrit Kurti, “dhe po ti numëroj disa ide duke e plotësuar edhe kërkesën të parafolëses time, sepse po më duket që edhe ajo nga një herë po harron. Në një fillo, menjëherë me planifikimin dhe rivitalizimin e Termocentraleve A dhe B, ashtu siç ju mendoni dhe na krijo stabilitet energjetik”.

“Fillo po ashtu menjëherë me përgatitjet dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja nëse guxon energjetike nga thëngjilli. Fillo po ashtu për zgjerimin e kapaciteteve të reja energjetike nga era në Shalë të Bajgores, ende ka kapacitete dhe fusha deri tek bjeshkët e Llapit… dhe Pika e tetë të mos miratohet raporti i ZRrE-së për tarifat”, theksoi ai.

Ndër rekomandimet e PDK-së, ishte edhe nisja e projektit për gazin.

Partitë opozitare kanë kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se për 20 vjet qytetarët e kanë paguar rrymën më së liri në rajon dhe Evropë, por siç tha ai, sot iu kanë shkundur themelet.

Ai tha se Qeveria Kurti ka shpërfillur krizën për energjinë elektrike në kohën kur shtetet e rajonit dhe Evropës filluan të merrnin masa.

“Kur vendet e rajonit dhe Evropës filluan të merrnin masa, Qeveria jonë qëndroi neglizhente. Këtë vit është paralajmëruar që do të ketë shumëfishim të çmimit dhe institucionet tona kanë qëndruar indiferent ndaj kësaj situate. Jemi këtu për paaftësinë e Qeverisë përball krizës sepse e ka shpërfillur këtë krizë, nuk po shkojmë më larg veçse tek shtetet e rajonit. Qeveritë e vendeve në rajon e kanë kuptuar sfidën që kishin përpara dhe patën nisur të merrnin masa”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se refuzimi i temës për shtrenjtimin e rrymës nga ana e Qeverisë, tregon një frikë të pashpjegueshme të pushtetit për t’u përballur me të vërtetën.

Në seancën e jashtëzakonshme ku është debatuar për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Abdixhiku tutje ka thënë se kjo shpërfaq një lloj hipokrizie politike në kuvend, po konsensusi politik kërkohet, por nuk jepet.

“Kemi mbledhur 40 nënshkrime sepse ndaj besimin se shtrenjtimi i energjisë elektrike në formatin që është bërë është i papërballueshëm, i pa drejtë dhe diskriminues e dënues ndaj një grupi të caktuar shoqëror”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore