Lajme

S’ka kuorum për ta shpallur gjendjen emergjente, Lista Serbe e bojkoton votimin


Kuvendi i Kosovës s’ka pasur kuorum për të marrë vendim për shpalljen e gjendjes emergjente të energjisë.

Për propozimin e Qeverisë morën pjesë vetëm 55 deputetë, derisa votimi u bojkotua nga deputetët e Listës Serbe.

“S’ka kuorum për ta marrë këtë vendim, shihemi në orën 3 e 30”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Gauk Konjufca.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e jashtëzakonshme të cilën po e mbanë Kuvendi i Kosovës, ku pikë e diskutimit është shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për masat e energjisë në furnizimin e energjisë, u ka kërkuar deputetëve të votojnë vendimin e qeverisë për masat e emergjencës me energji elektrike.

Ajo ka theksuar se problemet në furnizim me energji elektrike janë paraqitur sidomos në muajin dhjetor për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorin të Termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

“Kemi pasur edhe rritje të konsumit të energjisë elektrike duke marrë parasysh 85 për qind e konsumatorëve janë konsumatorë shtëpiak, kërkesa për energji elektrike është rritur dukshëm si rrjedhojë e uljes së temperaturave”, tha Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Sipas saj, një shpallje e emergjencës energjetike nuk do të thotë se janë masa kufizuese të menjëhershme, “por një vendim i tillë i mundëson qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë me vendosjen e kufizimeve me furnizim me energji për konsumator ose vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë”.

“Këto masa janë masa të përkohshme që kanë për detyrë zbutjen e krizës së furnizimit me energji, për kohën sa zgjat gjendja emergjente për furnizim me energji”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore