Lajme

S’ka kuorum për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare


Foto: Albanian Post.

Në seancën e së enjtes s’ka pasur kuorum për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare, prandaj votimi është shtyrë për një seancë tjetër.

Pas shtyrjes së kësaj seance deputeti i pavarur që në të kaluarën ishte pjesë e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, pasi dështoi votimi iu drejtua partisë në pushtet duke thënë se “thirrne Radojiçiç-in vjen ua voton”, duke lëshuar më pas seancën.

Që nga tetori i 2023-ës, marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbetur pa u votuar.

Më 12 tetor, partitë opozitare kishin bojkotuar seancën, pasi që s’ishin miratuar tri kërkesat për Policinë e Kosovës, pensioni i parakohshëm, sigurimet shëndetësore dhe shtesat për rrezikshmëri.

Opozita kishte vendosur që të mos votoj marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa pushteti kishte refuzuar që të përgjigjet në pyetjet parlamentare ndaj opozitës.

Nga viti 2021 kur është formuar, përbërja aktuale parlamentare ka miratuar 45 marrëveshje ndërkombëtare në fusha të ndryshme, kështu thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Kjo s’është hera e parë kur opozita nuk votoi marrëveshje ndërkombëtare.

Monitoruesit e seancave të Kuvendit të Kosovës kishin thënë se ky s’është fenomen i rrallë duke sqaruar se kishte ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën.

Qeveria akuzon opozitën, por marrëveshjet ndërkombëtare s’po i votojnë as disa deputetë të partisë në pushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore