Lajme

S’ka kërkesë për marrje me qira të burgjeve nga Danimarka në Kosovë


Qendra e Paraburgimit në Gjilan.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës, deri tani nuk ka pasur kërkesë për marrje me qira të burgjeve edhe pse nga Danimarka është thënë se do të paguajë qira për 10 vjet 210 milionë euro për sistemin e të burgosurve në Kosovë.

Kështu ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani.

Ndërsa sipas tij, arsyeja pse është zgjedhur kjo qendër ka qenë jo vetëm për shkaqe financiare, por edhe për trajtimin e të burgosurve.

“Realisht ne nuk kemi pranuar kërkesa vetëm atë keni parë edhe ju nëpër media. Përzgjedhja e Danimarkës nuk është bërë vetëm për shkaqe financiare por Danimarka Kosovën e ka përzgjedhur edhe për shkak të trajtimit të dinjitetshëm dhe raporteve ndërkombëtare që vlerësohet se Kosova në aspektin e trajtimit të dënuarve ka rritur standardet më të larta Evropiane”.

Mirëpo, potencon që kostoja e kësaj marrëveshje është mjaft e lartë.

“Ne në shumë tryeza e konferenca ndërkombëtare merremi edhe si shembull i suksesit sa i përket trajtimit të dënuarve po sigurisht që në këtë aspekt ne do të përfitojmë të mira materiale sepse kostoja e kësaj marrëveshje është 21 milionë euro në vit”.

“Për 10 vite do t’i fitojmë 210 milion euro, 6 vite në vijim shfrytëzohen për energji të ripërtërishme dhe 15 milion euro do të shfrytëzohen për SHKK”.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani.

Ndërsa, ka bërë të ditur se aktualisht i kanë 800 vende të lira në burgje.

“Për momentin kur po flasim ne, vetëm sot i kemi afër 800 vende të lira por në strategjinë zhvillimore të SHKK është paraparë edhe mbyllja e dy burgjeve që është lajm i ri, është në diskutim e sipër”, deklaroi Dibrani për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Ndër të tjera, sqaroi edhe arsyen se pse kanë në planë mbylljen e dy qendrave të paraburgimit.

“Domethënë që të mbyllet qendra e paraburgimit në Pejë dhe në Prizren e do të ndërtohet një qendër e re e paraburgimit ku kapaciteti do të jetë më i madh. Edhe pse edhe për sot kur po flasim ne kemi kapacitete të mjaftueshme për këta të dënuar që i kemi në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan të cilët do të shpërndahen në qendra tjera”.

Bexhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), thotë se Ministria e Drejtësisë po interesohet më shumë për përmirësimin e kushteve e të burgosurve që do të vijnë nga Danimarka se sa atyre që janë në Kosovë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë e kam një përshtypje se më shumë po angazhohet se si t’ua përmirësojë kushtet atyre të burgosurve që do të vijnë nga Danimarka, ata kriminelët që i ka blerë ose ia ka shit Danimarka Kosovës 300 vetë e që do ti dërgojnë në qendër të paraburgimit në Gjilan se sa që po investohet për të burgosurit këtu që janë brenda Kosovës”.

Ndër të tjera, ai shpreson që kjo marrëveshje të dështoj pasi sipas tij është e papranueshme që në kuadër të shtetit të jenë dy sisteme korrektuese.

“Mirëpo Kosova e ka bërë një gabim të madh, një marrëveshje me Danimarkën e cila KLMDNj shpreson dhe uron të dështoj sepse danezët thuajse po e dështojnë këtë marrëveshje sepse Ministri i Drejtësisë ka dhënë dorëheqje dhe është dashur edhe nga ana jonë të ketë një përgjigje për atë”.

“Tash edhe për Këshillin e Evropës është e papranueshme që në kuadër të shtetit t’i kemi dy sisteme korrektuese. Dy sisteme të kundërta në trajtimin e personave të privuar nga liria”.

Në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hakkerup, ka deklaruar se kjo marrëveshje me Kosovën është diskutuar që një vit.

“Nënshkruam një letër qëllimi. Është një gur themel për bashkëpunimet e tjera mes Kosovës. Shërbimi Korrektues i Danimarkës ka qenë i mbingarkuar dhe Kosova është kontaktuar para një viti”, potencoi Hakkerup.

Për momentin, rreth katër mijë të burgosur po vuajnë dënimin në burgjet e Danimarkës.

Numri i institucioneve të tilla është në rënie dhe numri i të burgosurve po rritet – me 19 për qind që nga viti 2015.

Shumica e të burgosurve vuajnë dënime deri në pesë vjet në të ashtuquajturat burgje të hapura.

Shumica e këtyre objekteve nuk kanë një gardh tradicional burgu dhe të burgosurit mund të kërkojnë mundësinë për t’u larguar përkohësisht nga burgu.

Albanian Post, kishte realizuar një story brenda burgut të Gjilanit ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore