Lajme

“Sjellje e papranueshme”, anija humanitare duhet të mirëpritet nga Italia – sipas Francës


Olivier Veran, zëdhënës i qeverisë franceze, ka shprehur distancim të plotë nga qëndrimi i qeverisë italiane lidhur me anijen humanitare.

“Aktualisht, Ocean Viking ndodhet në ujërat territoriale italiane. Ka rregulla evropiane jashtëzakonisht të qarta, të cilat, për më tepër, janë pranuar nga italianët, që në fakt janë përfituesit e parë të mekanizmit evropian të solidaritetit financiar”, ka treguar ai.

Sipas tij, anija duhet të pranohet nga Italia.

“Qëndrimi aktual i qeverisë italiane në lidhje me deklaratat e saj dhe refuzimin e ankorimit të anijes, në kundërshtim me të gjitha rregullat evropiane që janë pranuar nga të gjitha vendet evropiane, është e papranueshme”, ka theksuar Veran.

Nga ana tjetër, ai shpreson që derisa anija të jetë në ujërat territoriale italiane, Italia të bëjë pjesën e saj dhe të respektojë angazhimet e saj.

“Anija ndodhet ende në ujërat territoriale italiane. Mekanizmat diplomatikë janë ende në veprim teksa flasim”, ka ritheksuar ai.

“Kjo anije që ne e quajmë e emigrantëve është një anije me njerëz, të cilët janë shpëtuar në det, disa vijnë nga larg dhe kanë kaluar shumë dete para Mesdheut, në bord janë rreth pesëdhjetë fëmijë. Nuk mund të lihen të rrezikojnë”.

Reagimi i Veran-it vjen pas një dite veçanërisht plot ngjarje në frontin e marrëdhënieve italo-franceze.

Dje, Parisi po përgatitej “të hapte portin e Marsejës, qoftë natën mes të mërkurës dhe të enjtes ose të enjten”.

Dhe se “zbarkimi në Marsejë do të bëhet nën mbikëqyrjen e Prefekturës dhe të gjithë emigrantët do të nxirren nga anija, të cilët më pas do të regjistrohen si azilkërkues”.

Vendimi francez erdhi pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni foli me kreun e shtetit francez Emmanuel Macron, duke thënë se Italia “do të qëndrojë e vendosur në pozicionet e veta”.

Zgjedhja franceze u mirëprit nga qeveria italiane, e cila shprehu një “falënderim të përzemërt” për Parisin që “vendosi të ndajë përgjegjësinë për urgjencën e emigracionit, e cila ka mbetur mbi supet e Italisë dhe disa shteteve të tjera të Mesdheut”.

Më kritikuese kanë qenë fjalët e ministrit të Infrastrukturës, Matteo Salvini: “A po i hap Franca portet e saj? Pra, ajri ka ndryshuar”.

Çfarë ka ndodhur ditë më parë?

Pak ditë më parë, për Gérald Darmanin, ministri i Brendshëm francez, nuk kishte dyshime se Italia “do ta respektonte ligjin ndërkombëtar”.

Anija ka mbetur e bllokuar në det me 234 emigrantë në bord.

“E drejta ndërkombëtare është shumë e qartë: kur një varkë e humbur kërkon të ankorohet, është porti më i sigurt dhe më i afërt që duhet ta mirëpresë atë”, ka thënë ai.

Kështu që, vendi që do të duhet ta mirëpresë është Italia.

“I kemi thënë Italisë dhe e themi bashkë me Gjermaninë që nëse anija humanitare mirëpritet në Itali, edhe ne do të mirëpresim një pjesë të emigrantëve, gra dhe fëmijë, në mënyrë që Italia të mos marrë barra e kësaj ardhjeje emigrantësh”, ka shtuar ai.

Reagimi i tij ka ardhur pas një komenti që shkaktoi shumë tensione në parlamentin francez në seancën e fundit parlamentare se “ata duhet të kthehen në Afrikë”.

Gregoire de Fournas, një anëtar i sapozgjedhur i “Tubimit Kombëtar” të ekstremit të djathtë u kritikuar pas komenteve të tij, ku i tha “kthehu në Afrikë” një kolegu me ngjyrë.

Anëtari i parlamentit, Carlos Martens Bilongo, i ekstremit të majtë po merrte në pyetje Qeverinë për varkën e shpëtimit që po transportonte qindra pasagjerë në Detin Mesdhe.

Bilongo u ndërpre nga Gregoire de Fournas, i cili tha se “ata duhet të kthehen në Afrikë”.

Presidenti i Dhomës së Ulët të parlamentit francez, Yaël Braun Pivet, pezulloi më pas seancën legjislative, duke thënë se komenti do të hetohej.

Deklarata shkaktoi kritika dhe zemërim pasi pretendohej se De Fournas mund të ketë sulmuar drejtpërdrejt Bilongon me fjalët e tij, pasi në gjuhën frënge përemrat “ai” dhe “ata” shqiptohen njësoj.

De Fournas, mbrojti komentin e tij dhe akuzoi kundërshtarët për “manipulim”, dhe partia e tij mohoi gjithashtu çdo sulm personal ndaj Bilongo-s.

Ai më vonë i kërkoi falje Bilongos për “keqkuptimin që shkaktuan komentet e mia”.

Megjithatë, kryeministrja Elisabeth Borne, i kërkoi asamblesë të sanksionojë deputetin e ekstremit të djathtë duke thënë se “racizmi nuk ka vend në demokracinë tonë”.

Sakaq, Bilongo e quajti komentin “të turpshëm”.

Edhe Norvegjia ka deklaruar se i takon Italisë të mirëpresë emigrantët.

“Përgjegjësia kryesore për koordinimin e punës për të siguruar një strehë të sigurt për ata që janë në det i takon shtetit përgjegjës për zonën e kërkim-shpëtimit, të cilit i është kërkuar ndihmë”, ka deklaruar Ambasada e Oslos në Romë.

Sipas saj, Norvegjia nuk ka asnjë përgjegjësi sipas konventave të të drejtave të njeriut.

Reagimi vjen pas komentit të ministrit Salvini, i cili ka deklaruar se “një anije norvegjeze duhet të shkojë në Norvegji”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore