Shqipëria

Situata e zjarrit në vend: 3 vatra aktive – Greqia asiston me dy avionë


Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë 24 orëve të fundit  janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar tetë dhe janë aktive tre vatra të tjera. 

QKOEC bën me dije se për shuarjen e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar kapacitetet operacionale në nivelin vendor, qendror dhe asistencë ndërkombëtare.  

“Janë angazhuar 255 forca operacionale nga Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Forca  të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, AdZM, shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 28 mjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera operative”, thuhet në njoftim. 

Sa i përket vatrave aktive në vend, zjarri në fshatin Bogë, bashkia Malësi e Madhe, po vihen nën kontroll në saj të punës së forcave të Adzm dhe të bashkisë. 

Vatra e tjetër aktive në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, është më problematike pasi, me gjithë punën e forcave zjarrfikëse dhe bashkiake nuk u bë e mundur fikja e saj dhe sot në orët e para te mëngjesit ka vazhduar operacioni me mbështetjen dhe të 50 efektivëve të FA.  

Ndërsa zjarri në vatrën aktive në fshatin Goranxi, bashkia Dropull, ka rënë në një sipërfaqe me barishte dhe pemë me lartësi 3-4 metra.  

Zjarri, i cili u ndihmua dhe nga era, mori përmasa të mënjehereshme duke rrezikuar fshatrat Derviçan, Frashtan dhe Grapsh.  

Forcat operacionale kanë qenë në gatishmëri të plotë duke shmangur rrezikun e djegjes se banesave. 

Bashkia Dropull në këte situatë u mbështet me mjete zjarrfikëse nga bashkitë Libohovë, Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Memaliaj, Sarande, Finiq dhe Forcat e Armatosura.  

Sipas njoftimit, u angazhuan 144 forca operacionale dhe 12 mjete zjarrfikëse.  

Duke marrë në vleresim situatën e krijuar në bashkinë Dropull është aktivizuar sistemi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (ERCC), nga ku Greqia ka ofruar asistence ndërkombëtare me dy avionë për nderhyrje nga ajri.  

Me nderhyrjen nga ajri dhe toka pergjate gjithë ditës së djeshme edhe deri sot është bërë e mundur mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe banorëve. 

Sot në orët e para të mengjësit ka filluar ndërhyrja nga ajri me helikopterin e Ministrise Mbrojtjes dhe dy avionëve të Qeverisë greke. 

Ministria e Mbrojtjes siguron se “strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin”. 

 “Gjithashtu rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit”, mbaron njoftimi. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore