Sport

Sirena angleze për Strakoshën


Portieri i kombëtares së Shqipërisë, Thomas Strakosha po luan sezonin e fundit me skuadrën e tij aktuale, Lazio-n.

Tashmë siç dihet, Strakosha nuk do të rinovojë kontratën me klubin nga Roma, andaj në korrik ai do të mbetet lojtar i lirë.

Disa klube nga Serie A kanë shprehur interesimin e tyre për gardianin kuqezi, por e ardhmja e tij mund të jetë Premier League.

Klubet angleze si West Ham e Watford e ndjekin prej kohësh portierin 27 vjeçar, por së fundmi është shtuar edhe një skuadër tjetër.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Angli, Strakosha tashmë ka përfunduar në radarin e klubit të pasur Newcastle United.

Tashmë siç dihet, Newcastle janë në duart e ndër pronarët më të pasur në botën e futbollit, të cilët janë duke kërkuar për të ndërtuar një ekip të fortë për sezonin e ardhshëm, pjesë e të cilit kërkojnë që të jetë edhe Strakosha.

Klubi anglez do të jetë shumë aktiv në afatin kalimtar të verës dhe Strakosha pritet të jetë një nga afrimet e para, aq më tepër pa shpenzuar para për kartonin e tij.

Kujtojmë që Strakosha është pjesë e Lazio-s që nga viti 2013, i cili fillimisht ishte pjesë e të rinjve të klubit.

Ai deri më tani ka mbrojtur 200 herë portën e Lazio-s në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore