Kosova

Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon takim me Kurtin e Osmanin


Policia e Kosovës.

Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është shqetësuar me informatën se Ligji mbi Pagat do të kthehet në pikën zero, pa dhënë ndonjë arsye.

Në këtë njoftim, thuhet se kjo sindikatë do të ftoj në takim urgjent Këshillin Drejtues të Sindikatës për hapa tjerë sindikal.

“Për momentin e krijuar, deri në hartimin, projektimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon që të gjithë pjesëtareve të Policisë pa dalim t’ju shtohet në pagë shumë nga dyqind (200) euro”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Ndër të tjera, PK-ja ka kërkuar takim urgjent edhe me krerët e institucioneve.

“Kjo kërkesë është shumë modeste në krahasim me pagën që merr polici dhe rritjen enorme të çmimeve në vend. Mbesim me shpresë se Presidentja dhe Kryeministri do të marrin parasysh kërkesën tonë mediatike për takim!”.

Policia e Kosovës.
Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore