Lajme

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kërkon nga Osmani që mos ta dekretojë Ligjin për Pagën Minimale


Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, më saktësisht kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, që të mos e dekretojë ligjin për pagën minimale, që u miratua të enjten e 13 korrikut nga Kuvendi i Kosovës.

Në kërkesën e bërë nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat janë renditur edhe arsyet se pse të njëjtit kërkojnë nga presidentja që të mos e dekretojë këtë ligj.

Sipas tyre, me miratimin e këtij ligji “nuk është përfillë vendimi i Komisionit të Grupit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, i cili i ka propozuar Parlamentit të Kosovës që paga minimale për vitin 2023 të jetë 450 euro, kurse për vitin 2024 të jetë 5 qind euro”.

“Paga minimale është kosto e katër anëtarëve të të punësuarit, e kjo pagë shpesh nuk e mbulon as vetë punëtorin”, shpjegojnë ata.

Ndërkaq, nga kjo sindikatë kanë potencuar se paga minimale në bazë të ligjit të miratuar “është paga më ulët në rajon”.

Ndryshe, Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.

Prandaj Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kanë kërkuar nga kjo e fundit që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale.

“Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë dhe të bllokojmë tutje punën e parlamentit. Presidentes i bëmë kërkesë që mos ta dekretojë Ligjin që diskriminon kategorinë që ka dhënë shumë në lutën e fundit në Kosovë”, tha ai para gazetarëve.

“Ne do t’i shfrytëzojmë gjitha rrugët ligjore, por do ta kundërshtojmë edhe me protestë, do i pengojmë deputetët të futen në Kuvend”.

Sipas Jasharit, kjo qeveri ka biseduar me kriminelët që t’i largojë veteranët nga benificionet.

“Nëse e nënshkruan këtë Ligj, Osmani ia vënë vetës një njollë të keqe”.

Në anën tjetër kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se në takim me Osmanin i kanë paraqitur shqetësimet e tyre përkitazi me shkeljet e ndryshme që vazhdimisht po bënë Qeveria e Kosovës.

Klinaku theksoi se me kryeministrin, Albin Kurti, nuk kanë zhvilluar takime tash e një vit.

“Kjo Qeveri asnjëherë s’ka pasur kontakte me neve sepse ne si organizata të dala nga lufta, kemi bërë shkresa dhe s’janë përgjigjur. Presidentja na u përgjigj, ne i paraqitëm shqetësimet tona që kjo qeveri as protezat s’ua rregullon. Presidentes ia paraqitëm disa gjëra edhe disa ligje që i ka shkelur e i shkel kjo Qeveri”, tha ai.

Ai pas takimit me Osmanin, duke iu referuar një deklarate të Kurtit se është trefishuar numri i veteranëve, pohoi se nuk i takon atij që të merret me këtë çështje kur verifikimi është bërë nga komandantët dhe se dosja për këtë çështje është në Prokurori.

Klinaku ndër të tjera ka bërë të ditur se presidentja duhet ta luaj edhe rolin e unitetit.

Ndryshe me 60 vota për e një abstenim, të enjten Kuvendi i Kosovës miratoi Ligji për pagën minimale.

Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro, megjithatë nga ky ligj nuk do të mund të përfitojnë veteranët e UÇK-së.

Veteranët, Osmanit: Mos e dekreto Ligjin për pagën minimale, ia vendos vetes një njollë të keqe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore